Ukraina dhe Rusia kanë pranuar marrëveshjen e propozuar nga Katari.
Bazuar në këtë marrëeshje Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 13 fëmijë, të zhvendosur si pasojë e pushtimit nga Kremlini, duke i ribashkuar me familjet e tyre, thanë të enjten zyrtarët në shtetin e Gjirit.
Rusia është akuzuar se ka dëbuar me forcë mijëra fëmijë ukrainas nga shkollat, spitalet dhe jetimoret në pjesë të vendit të kontrolluara nga forcat e saj.
“Procesi i bashkimit të familjes përfshin ribashkimin e sigurt të nëntë të miturve dhe një të rrituri me familjet e tyre në Ukrainë”, tha një zyrtar i Katarit, raporton AFP.
Gjithashtu parashikohet ribashkimi i katër të miturve me familjet e tyre në Rusi.
Nëntë fëmijët ukrainas, të moshës 12 deri në 17 vjeç, bashkë me një 19-vjeçar që i shoqëronte, si dhe një fëmijë që humbi një prind pas pushtimit, qëndronin me të afërmit kur u ndanë nga familjet e tyre.
Mes të miturve ukrainas janë edhe dy adoleshentë me paralizë cerebrale, njëri prej të cilëve ishte vendosur në një shtëpi fëmijësh para luftës. Të dy shoqërohen nga ekipet mjekësore për kthimin e tyre.
Fëmijët rusë, nga dy deri në shtatë vjeç, përfshijnë dy të cilët ishin në qendra përkujdesjeje para fillimit të luftës, ndërsa dy të tjerët kishin qëndruar te të afërmit.
Përfaqësuesit e Katarit do t’i presin fëmijët në ambasadën në Moskë përpara se ata të ribashkohen me familjet e tyre në Ukrainë ose diku tjetër në Rusi.
Ukraina ka thënë se 20,000 fëmijë u dërguan në Rusi pas pushtimit të Moskës në shkurt 2022. Ukraina thotë se forcat pushtuese i çuan ata ilegalisht në Rusi dhe akuzon autoritetet ruse se po përpiqen të zhdukin identitetin e tyre ukrainas. Adoleshentët që u kthyen në Ukrainë kanë thënë se iu nënshtruan edukimit patriotik rus dhe u detyruan të lavdërojnë ushtrinë ruse.
Moska ka mohuar se ka marrë me forcë fëmijët në Rusi, duke thënë se të miturit janë zhvendosur për sigurinë e tyre nëse janë pa kujdes prindëror.
“Katari mbetet i përkushtuar ndaj përpjekjeve të tij për të mbështetur ribashkimin e familjeve të ndara dhe për të garantuar sigurinë, mirëqenien dhe ribashkimin e fëmijëve me familjet e tyre”, tha zyrtari i Katarit, sipas AFP.