Drejtori i CIA-s pret që Rusia të shënjestrojë zgjedhjet në mes të mandatit në SHBA në fund të vitit.

Në një intervistë për BBC-në, Mike Pompeo tha se nuk ka patur ndonjë reduktim domethënës të përpjekjeve ruse për ndërhyrje në Evropë dhe SHBA.

Komuniteti i inteligjencës amerikane beson se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Shefi i CIA-s është i qartë për vizionin e tij për agjensinë në mandatin e Presidentit Trump.

“Jemi shërbimi i spiunazhit më i mirë në botë. Do bëjmë çdo gjë që të vjedhim sekrete në emër të popullit amerikan, dhe do ecim me hapin e duhur’ tha Pompeo për BBC-në.

Pas një viti në detyrë, Pompeo shprehet se misioni i tij ka qenë përmirësimi i agjensisë, që sipas tij operon në një botë të paparashikueshme ku vlerësimet e inteligjencës mund të jenë bazë jo vetëm për veprime ushtarake por edhe polemika politike.

Megjithëse ka patur bashkëpunim kundër terrorizmit, Shefi i spiunazhit amerikan thotë se akoma e shikon Rusinë si rivale, duke ndarë shqetësimin e shumë vendeve evropiane rreth ndërhyrjes së saj.

I pyetur nëse shqetësimet e tij kanë lidhje me zgjedhjet e ardhshme të mes-mandatit në SHBA në muajin nëntor, Pompeo tha se priste që ‘Moska do bëjë përpjekje të ndërhyjë por se kishte besim se Amerika do jetë në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta, duke u kundërpërgjigjur në mënyrë të tillë që impakti i tyre në zgjedhjet amerikane të mos jetë problematik.

Shefi i CIA-s tha më tej se Kina po lëvizte mbi çështjen e Koresë së Veriut, siç dëshmohet nga votimet e fundit në OKB, por theksoi se ata mund të bënin më shumë.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb