Rusia bëri të premten një sulm masiv ajror ndaj Ukrainës, duke përdorur 93 raketa, si dhe rreth 200 dronë, njoftoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ai tha se këto ishin sulmet më të rënda ndaj sektorit energjetik të Ukrainës, që nga fillimi i sulmit të Rusisë gati tre vite më parë.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 81 raketa, ndër to 11 raketa me vetëdrejtim, që u interceptuan nga avionët F-16 të dhuruar këtë vit nga aleatët perëndimorë, tha zoti Zelenskyy. Rusia po “terrorizon miliona njerëz” me sulme të tilla, u shpreh ai në rrjetin Telegram, duke përsëritur thirrjet për unitet ndërkombëtar kundër Presidentit rus Vladimir Putin.
“Nevojitet një reagim i fortë nga bota: një goditje masive – një reagim masiv. Kjo është mënyra e vetme për të ndalur terrorin”, tha zoti Zelenskyy.
Por ka pasiguri se çfarë rrjedhe do të marrë lufta vitin e ardhshëm. Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili merr detyrën muajin e ardhshëm, është zotuar t’i japë fund luftës dhe ka vënë në dyshim nëse do të vazhdojë mbështetja ushtarake amerikane për Kievin.
Në Moskë, ministria e mbrojtjes tha se ushtria ruse përdori raketa me rreze të gjatë dhe dronë ndaj “objekteve të rëndësishme energjetike dhe të hidrokarbureve në Ukrainë, që mundësojnë funksionimin e kompleksit të industrisë ushtarake”. Ministria ruse tha se goditja ishte në përgjigje të sulmit ukrainas të së mërkurës me raketat amerikane ATACMS ndaj një baze ajrore ruse.
Presidenti i zgjedhur Trump tha gjatë një interviste për revistën Time të publikuar të enjten, se është kundër lejimit të Ukrainës që të godasë objektiva në territorin e Rusisë me armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të premten se qëndrimi i zotit Trump “përputhet me pozicionin tonë”. “Në këtë rast, kemi një vizion të përbashkët për shkaqet e përshkallëzimit dhe kjo është pozitive. Qartësisht, Trump-i e kupton se çfarë e përshkallëzon konfliktin”, u tha zoti Peskov gazetarëve.
Ambasada amerikane në Kiev tha se sulmi i së premtes goditi edhe rrjetet e transportit dhe objekte të tjera kyçe. Kompania më e madhe energjetike ukrainase, DTEK, tha se sulmi “dëmtoi seriozisht” termocentralet e saj. Rusia është përpjekur vazhdimisht të dëmtojë sistemin elektrik të Ukrainës në një përpjekje për të thyer vullnetin e popullsisë civile të gjendur në errësirë, pa ujë apo ngrohje, dhe për të dëmtuar zinxhirin e prodhimit ukrainas në fushën e mbrojtjes./voa/