Rusia ka kryer sulme të reja duke e dëmtuar infrastrukturën energjetike në pesë rajone të Ukrainës më 1 qershor, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Objekte energjetike u dëmtuan në rajonet Donjeckut në lindje, Zaporizhjas në juglindje, në Dnipropetrovsk, si dhe në rajonin qendror Kirovohrad dhe atë perëndimor Ivano-Frankvisk, tha operatori i rrjetit energjetik i Ukrainës, Ukrenerho.

Mëngjesin e sotëm, rusët kryen një tjetër sulm në objektet energjetike të Ukrainës. Prej marsit janë kryer gjashtë sulme të mëdha raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës energjetike civile”, tha Ukrenerho.

DTEK, kompania më e madhe e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike, tha se gjatë sulmit u goditën dy prej termocentraleve të saj dhe se pajiset e saj u “dëmtuan rëndë”. DTEK nuk tregoi se ku ndodheshin ato objekte.

Rusia i ka rritur bombardimet kundër infrastrukturës energjetike civile në Ukrainë prej muajit mars, duke ia shkatërruar shumicën e kapaciteteve të termocentraleve dhe hidrocentraleve. Si pasojë, ka pasur reduktime të rrymës dhe import të energjisë elektrike në sasi rekorde.

Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kundërajrorët e tyre i rrëzuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët rusët.

“Terroristët rusë nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre për ta shkatërruar sektorin e energjisë së vendit. Forcat Ajrore dhe ato të Mbrojtjes të Ukrainës po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos e lejuar armikun ta arrijë qëllimin e tij në çdo cep të frontit”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleshchuk.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: