Ambasada e Rusisë në Serbi të martën kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë një shtetas rus që punon në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shkruan agjencia e lajmeve RIA.


Shtetasi rus u arrestua në një komunë me popullsi serbe në veri të Kosovës gjatë një operacioni policor atje, raportoi RIA. “Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të shtetasit rus dhe që përgjegjësit për këtë incident flagrant të merren në përgjegjësi”, citohet të ketë thënë ambasada.


Më herët ambasada ruse në Beograd tha se po shikon rrethanat në të cilat një shtetas i Rusisë është ndaluar në Kosovë. “Kemi marrë informacionet e duhura dhe ambasada po i shqyrton rrethanat e incidentit”, tha zëdhënësja e ambasadës, Margarita Komissarova, për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax.


Policia e Kosovës të martën ka filluar një aksion në jug dhe veri të Mitrovicës për, siç është thënë, luftimin e krimit dhe kontrabandës. Raportohet se një polic është plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe tre të tjerë kanë marrë plagë të tjera të lehta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka thënë gazetarëve se aksioni i Policisë së Kosovës, është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, në një hapsirë të gjerë të vendit.

“Ka të arrestuar edhe zyrtarë, por edhe qytetarë, në komuna të ndryshme të Kosovës, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë, boshnjakë. Është i arrestuar edhe një rus, i cili është kamufluar në petkun e diplomatit, për të penguar Policinë e Kosovës në aksionin e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK ka konfirmuar ndalimin e dy zyrtarëve të këtij misioni gjatë aksionit të Policisë së Kosovës.
“UNMIK-u po i përcjell me shqetësim të madh zhvillimet e sotme në veri të Kosovës, përfshi edhe burgosjen e dy pjesëtarëve të Kombeve të Bashkuara nga Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave të tyre”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut në Prishtinë.

Bëhet e ditur se njëri është shtetas rus, kurse tjetri, një serb nga Kosova, që punon në UNMIK.
UNMIK-u thekson se të dy pjesëtarët kanë kërkuar edhe ndihmën mjekësore në spitalin rajonal në Mitrovicë. UNMIK-u thekson po ashtu se po i analizon rrethanat e sakta të këtij zhvillimi në koordinim edhe me agjencitë tjera ndërkombëtare.

Shefi i misionit, Zahir Tanin u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lirojnë menjëherë të arrestuarit duke bërë me dije se dëmtimet e stafit të UNMIK-ut mund të kenë pasoja dhe përgjegjësi të mëdha diplomatike e ndërkombëtare.

Etiketa: