Ushtria ruse nisi të hënën ushtrimet vjetore strategjike. Forca nga Kina, India, Pakistani, Kazakistani, Kirgizia dhe Uzbekistani iu bashkuan Komandës së Përbashkët Strategjike Qendrore të Rusisë për ushtrimet që do të zgjasin deri më 21 shtator.


Ushtrimet e tilla vjetore mbahen me rotacion dhe këtë vit ato përqendrohen në Komandën Qendrore. Komandat e tjera të Përbashkëta Strategjike të Rusisë janë Perëndimi, Lindja dhe Kaukazi. Qëkur Rusia ka nisur riorganizimin e ushtrisë së saj më 2008, Komanda Qendrore ka mbajtur dy ushtrime: më 2011 dhe 2015.


Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se ushtrimet nuk janë të drejtuara kundër asnjë pale të tretë dhe se ato do të përqendrohen në operacione “kundër terrorizmit”.


Sipas Jamestown Fondation – institut për analiza dhe kërkime me seli në SHBA – ushtrimet këtë vit janë më të mëdhatë të Komandës Qendrore dhe ato do të përfshijnë “128,000 ushtarë, 20,000 armë, 600 avionë dhe helikopterë dhe 15 luftanije”. /Rel/