Rusia i ka vazhduar sulmet ndaj qyteteve ukrainase mëngjesin e së premtes, duke e goditur rajonin jugor Odesa, si dhe Harkivin, qytetin e dytë më të madh të vendit. Së paku një person u vra dhe 38 të tjerë u plagosën, përfshirë një foshnje, sipas zyrtarëve rajonalë.

Një sulm i madh me dronë gjatë natës në Odesa la një person të vdekur dhe nëntë të plagosur, raportoi Shëbimi Emergjent i Ukrainës, duke shtuar se gjithashtu u dëmtuan ndërtesa banimi, biznese, shkolla dhe depo. Harkivi u sulmua për ditën e dytë me radhë të premten, tha kryetari i qytetit, Ihor Terekhov.

Një raketë ruse e goditi një ndërtesë të lartë banimi në qarkun Saltiv të qytetit, duke i plagosur 25 njerëz, përfshirë një foshnje tremuajshe, tha Terekhov. Ndërtesat historike dhe banesore në qendër të qytetit u dëmtuan gjithashtu, shtoi ai.

Në rajonin e Kievit u plagosën katër njerëz, dy prej të cilëve rëndë, tha guvernatori rajonal, Ruslan Kravchenko. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: