Për të parën herë që nga nisja e luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov do të vizitojë një vend të Bashkimit Europian muajin e ardhshëm.

Sipas medias ruse Vedomosti, më 5 dhe 6 dhjetor, kryediplomati i Moskës do të vizitojë Maltën për të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së.

Është zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakharova ajo që ka konfirmuar për Vedoimosti udhëtimin e Lavrov për në ishull, ndërsa Ambasada e Maltës në Rusi tha se ftesat për takimin e 5 dhe 6 dhjetorit “do t’u dërgohen të gjitha delegacioneve të OSBE-së në kohën e duhur”.

Teksa Brukseli ka vendosur sanksione ndaj Lavrov për rolin e tij në luftë, unioni nuk mori guximin të vendoste një ndalim udhëtimi për shefin e diplomacisë ruse, duke kërkuar të linte të hapur një kanal komunikimi me të.

Hera e fundit që Lavrov vizitoi një vend të BE-së ishte për çudi një udhëtim në Stokholm, po për një mbledhje të OSBE-së në dhjetor 2021, ku ai u takua edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kujtojmë se në vitin 2023, Lavrov udhëtoi për në Maqedoninë e Veriut për një  takim ministror të OSBE-së, pasi Bullgaria dha lejen që avioni i tij të kalonte hapësirën e saj ajrore gjatë rrugës për në Shkup.

Vendimi i Sofjes zyrtare ngjalli kritika nga Kievi, me disa vende, duke përfshirë Ukrainën, Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë që zgjodhën të bojkotojnë takimin për shkak të pjesëmarrjes së Lavrov.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb