Rusia ka bërë të ditur se ka marrë kontrollin e dy vendbanimeve në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, ndërsa ofensiva e Moskës në Ukrainën lindore vazhdon, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pohoi se forcat e saj pushtuan fshatin Krasnyi Yar, që ndodhet rreth 12 kilometra në lindje të Pokrovskut, një front kyç në rajonin e Donetskut.
Rusia ka raportuar shpesh fitime territoriale në muajt e fundit ndërsa vazhdon ofensivën e saj në Donetsk, me aktivitet të shtuar në zonën e vijës së frontit rreth Pokrovskut.
Qyteti shërben si një qendër kyçe logjistike për ushtrinë e Ukrainës në rajonin e Donetskut, i cili kufizohet me Rusinë.
Ministria ruse më tej tha se Rusia ka marrë gjithashtu kontrollin e fshatit Nevske në rajonin e Luhanskut, që ndodhet rreth 24 kilometra në verilindje të qytetit Lyman.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës pohoi në një deklaratë të mëparshme se parandaloi forcat ruse të shkelin mbrojtjen e vendit pranë fshatit Nevske në frontin e Lymanit dhe zmbrapsi ofensivën ruse pranë Krasnyi Yarit në frontin e Pokrovskut.
Megjithatë, autoritetet ukrainase nuk i kanë komentuar ende pretendimet e fundit të Rusisë dhe verifikimi i pavarur i pretendimeve është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.