Pavarësisht pesë ankesave që janë bërë kundër tij, Russell Brand këmbëngul se është i pafajshëm.
Aktori është akuzuar nga pesë gra për sulme seksuale dhe ngacmime. Megjithatë, ai mohon çdo akuzë, ndërsa flet për lajme të rreme që synojnë ta “shkatërrojnë”.
Ish-prezantuesi dhe aktori britanik 48-vjeçar, i cili aktualisht është aktiv kryesisht në rrjetet sociale, nuk e pranon në asnjë mënyrë fajin, duke siguruar audiencën se të gjitha marrëdhëniet e tij kanë qenë “konsensuale”. Ai madje denoncoi një “sulm të koordinuar” ndaj tij.
Në një video që ka postuar në rrjetet sociale, Russell Brand falënderon audiencën e tij që ka vënë në dyshim informacionin që qarkullon për të, ndërsa më pas ka folur për censurë, duke përmendur faktin se YouTube ka pezulluar funksionin, me të cilin ai mund të fitojë para nga videot e tij. “Deri tani, ju ndoshta e dini se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kërkuar nga platformat kryesore e teknologjisë që të censurojnë përmbajtjen tonë në internet. Disa platforma online tashmë e kanë përmbushur këtë kërkesë ”, dëgjohet të thotë ai.
Më pas ai inkurajoi fansat e tij që ta ndiqnin në “Rumble”, një platformë që ai thotë se lejon dhe mbështet fjalën e lirë.