Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë sot para mediave në Bruksel, se është i vetëdijshëm për tensionet aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Ai gjithashtu përmendi edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin u shpreh se nuk po ecën siç do të donin ata.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se dialogu i Prishtinës me Beogradin i lehtësuar nga BE-ja nuk po ecën përpara siç do të donim, dialog të cilin ne e mbështesim”, tha Rutte.
Ai gjithashtu u shpreh i shqetësuar edhe për tensionet në Bosnje e Hercegovinë dhe përpjekjet për ta ndarë shoqërinë në këtë shtet.
“Sigurisht që jemi të shqetësuar për tensionet që ende përpiqen të orientojnë ndarje brenda shoqërisë së Bosnje e Hercegovinës. Padyshim do të jetë në agjendë dhe të jemi të sigurt që bëjmë gjithçka për të mbështetur Ballkanin Perëndimor”, tha sekretari i NATO-s.