Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të premten se aleatët do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni i KFOR-it në Kosovë të ketë forcat dhe burimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për shtypin në përfundim të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë të cilit është diskutuar edhe për operacionin e aleancës në Kosovë.

“Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha ai.

Sekretari Rutte një ditë më parë ngriti shqetësimet për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut mes Prishtinë dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim…”, tha ai.

Aktualisht mbi 4 mijë e 400 trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe përgjatë vitit që lamë pas, aleanca shtoi praninë e saj pas tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: