Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte kërkoi sot vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën pas gati tre vitesh luftë, duke paralajmëruar se mbështetja e reduktuar mund të shërbejë si nxitëse ndaj vendeve si Kina, Koreja e Veriut dhe Irani.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet në drejtim të stërvitjes, në aspektin e pajisjeve … për të mbizotëruar në këtë luftë”, tha Rutte në një seancë të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në bazën e ushtrisë amerikane “Ramstein” në Gjermani.

Ai deklaroi se ishte thelbësore që Ukraina të vendoset në pozicionin më të mirë të mundshëm, në mënyrë që ajo të mund të fillojë, përfundimisht negociatat me Rusinë për të zgjidhur konfliktin me iniciativën e saj.

Rutte paralajmëroi se nëse negociatat e tilla nuk rezultojnë në një marrëveshje të mirë, kjo do të vihet re në Kinë, Korenë e Veriut dhe Iran, duke theksuar se këto vende mund të përfitojnë nga suksesi rus në Ukrainë.

Ai tha se lufta nuk kishte të bënte vetëm me Ukrainën, por ajo ndikon edhe në kontekstin gjeopolitik.

Rutte, fillimisht nuk e komentoi deklaratën e fundit të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili kërkoi që aleatët evropianë të shpenzonin 5% të prodhimit të tyre ekonomik për mbrojtjen.

Ai theksoi se mbështetja për Ukrainën përfshin gjithashtu ndarjen e barrës.

“Gjermania ka ofruar deri më tani afër 30 miliardë euro në mbështetje të trajnimeve dhe pajisjeve për Ukrainën”, tha Rutte duke vlerësuar angazhimin e Gjermanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: