Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s në të ardhmen, ka deklaruar të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në Bruksel, ku ai kryeson një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
“Për momentin duket se do të jetë Ukraina anëtari 33, por ndoshta dikush tjetër del para saj”, ka thënë Rutte, raporton AP.
“Por Ukraina do të jetë anëtare e NATO-s në të ardhmen. Kjo është ajo që ne vendosëm në Washington. Pra, pyetja tani është rreth afatit kohor”, është shprehur Rutte.
Aktualisht, NATO ka 32 vende anëtare. Besueshmëria e saj bazohet në garancinë e sigurisë kolektive, nenin 5 të traktatit themelues. Është një angazhim i të gjitha vendeve anëtare për t’i ardhur në ndihmë çdo anëtari, sovraniteti ose territori i të cilit mund të jetë nën sulm.