NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Dështimi i mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve deri në qershor, detyruan qeverinë të ndërhynte në buxhetin e shtetit për pjesën e mbetur të vitit. Por, nëse edhe me këto ndërhyrje, qeveria nuk do të arrijë të bindë FMN për firmosjen e këstit të pestë të kredisë në muajin janar, ecuria e ekonomisë do të vihej në pikëpyetje. Shqipëria do të humbiste besimin në tregjet ndërkombëtare në marrjen e kredive dhe investitorët e huaj do të stepeshin.

Zakonisht, në mesin e çdo viti, qeveritë rishikojnë buxhetin e parashikuar. E nëse deri në 2010 buxheti prekej në rritje të treguesve fiskalë, në vitet në vazhdim ka ndodhur e kundërta. Por këtë vit duket se ndërhyrjet janë më të dhimbshme.

Planifikimet e qeverisë për të ardhurat buxhetore ishin ambicioze për këtë vit me një rritje 13 për qind krahasuar me faktin e vitit 2014. Një rritje e programuar mbi katër herë më e lartë se rritja e pritshme ekonomike e këtij viti prej 4%. Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 ishte parashikuar në nivelin e rreth 414.4 miliardë lekëve ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014.

Por sinjalet negative erdhën menjëherë pas tre muajve të parë të vitit ku nga tatimet dhe doganat u mblodhën sipas statistikave të Ministrisë së Financave 8,6% të ardhura më pak se plani i fillimvitit. Kjo u justifikua nga Ministria e Financave si shkak i aplikimit të sistemit të ri online në tatime, duke shpresuar për një rikuperim në muajt e mëvonshëm.

Për periudhën prill-qershor, plani ishte 27% më i lartë se i tremujorit të parë, por në fakt treguesit jo vetëm që nuk u arritën por u përkeqësuar edhe më tej. Në gjysmën e parë të vitit të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin 13.4 miliardë lekë më të ulëta se plani dhe gati në të njëjtin nivel me një vit më parë. Nën presionin e grumbullimit të dobët të të ardhurave, qeveria po synon të mbajë nën kontroll shpenzimet buxhetore, që deri në fund të periudhës 6-mujore, 26% e shpenzimeve të planifikuara nuk u arritën të realizoheshin.

Këta tregues asfiksuan buxhetin e shtetit, gjë që e detyroi qeverinë ta rishikojë atë në ulje për pjesën e mbetur të vitit. Në akt- normativën për rishikim e buxhetit, të ardhurat dhe shpenzimet janë parashikuar nga qeveria me një tkurrje prej 16,2 miliardë lekë, duke u treguar e kujdesshme me deficitin buxhetor, një kusht ky i vendosur edhe nga FMN. Kjo situatë e detyroi FMN të pranonte kërkesën e qeverisë për më shumë kohë në përmirësimin e treguesve dhe të largohej nga Shqipëria pa një marrëveshje të firmosur.

Misioni i Fondit i ka lënë kohë qeverisë deri në muajin tetor për të përmirësuar treguesit. Ndaj edhe kryeministri trumpetoi me të madhe se pas pushimeve verore, në shtator, do të nisë reforma të ashpra për të luftuar shkaktarët e dështimit të të ardhurave, informalitetin dhe evazionin. Madje edhe me masa ekstreme. Por a do të mund qeveria që në një muaj kohë të mbledhë shumat e munguara të të ardhurave nga tatimet e doganat? A do të jetë kjo kohë e mjaftueshme për qeverinë që të bindë misionin e FMN-së, e më tej bordin ekzekutiv në Uashington, të firmos dhënien e këstit të pestë të kredisë, e cila do të miratohet në muajin janar vetëm nëse qeveria plotëson kushtet.

Që nga janari i 2014-ës qeveria firmosi marrëveshjen trevjeçare me qeverinë për një kredi prej 300 milionë eurosh. Por ka kaluar më shumë se gjysma e periudhës dhe FMN ka disbursuar deri më tani vetëm 135 milionë euro në katër këste. Por çdo të ndodhë nëse FMN nuk firmos disbursimin e kredisë në janar? A do të jetë më në gjendje Shqipëria të thithë investitorët e huaj, sa e besueshme do të jetë qeveria në tregjet ndërkombëtare për të marrë kredi që edhe nëse jepen do të jenë me interesa të larta ? Këto pikëpyetje venë në diskutim ecurinë e ekonomisë shqiptare jo vetëm për 2015 por edhe në vitet në vijim.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: