Theresa May do të paraqesë zyrtarisht të mërkurën kërkesën për daljen e Britanisë së Madhe. Ditë historike, sepse është hera e parë që një vend shpall dëshirën për të dalë nga BE.

Pas kësaj do të nisin negociatat për daljen nga Bashkimi Evropian midis Britanisë së Madhe dhe 27 shteteve anëtare, të cilat është parashikuar të shtrihen në dy vjet. Pyetja qendrore në këto negociata do të jetë: sa duhet të paguajnë britanikët për ndarjen? Që tani qarkullon një shumë prej 60 miliardë eurosh, të cilën Brukseli do t’ia ngarkojë në kurriz Britanisë së Madhe.

Nga ana tjetër, mbështetësit e Brexit-it propagandonin ditë për ditë gjatë fushatës së Brexitit se Britania e Madhe përcjell çdo javë në Bruksel shumën e supozuar prej 350 milionë Paund. Kjo shifër ka mbetur në kujtesë. Edhe nëse miqtë e BE ankohen se kjo shumë nuk merr parasysh as rabatin për Britaninë dhe as shumën që merr Britania e Madhe nga buxheti i BE.

Kryeministrja britanike e interpreton në këtë drejtim votën e zgjedhësve për Brexit-in. “Besoj se ata e bënë shumë të qartë se nuk duan që çdo vit t’i paguhen shuma të mëdha Bashkimit Evropian”.

Si qeveria e saj, ashtu edhe Dhoma e Sipërme e Parlamentit kanë ngarkuar juristë që ta verifikojnë gjendjen juridike – dhe ata arrijnë në përfundimin: sapo Britania e Madhe të dalë nga BE, ajo nuk është më e detyruar që t’i paguajë asnjë Paund Bashkimit Evropian. Kjo e gëzon deputetin e konservatorëve Tory, Jacob Rees-Mogg. Ai thotë se pas kësaj date “ne nuk kemi asnjë detyrim ligjor përballë BE”.
37933070_401

Sa do të jetë fatura e ndarjes?
Brexiti do të ketë marrë fund ndoshta në vitin 2019, por buxheti në vazhdim i BE përfshin periudhën deri në 2020 – dhe Britania e Madhe e ka miratuar dikur atë, duke qenë e detyruar që të paguajë. Kështu e sheh Brukseli këtë çështje. Dhe pastaj janë edhe nëpunësit civilë britanikë, të cilët punojnë në vende pune të Bashkimit Evropian. Detyrimet për të paguar pensionin e tyre janë në kurrizin e Londrës.

Aktualisht, Britania e Madhe është pas Gjermanisë, për nga shuma që paguan, paguesja e dytë më e madhe në Bruksel. Po të përcjellë Londra më pak para, ose shtetet e tjera duhet të paguajnë më shumë, ose vendet marrëse do të marrin më pak para. BE si organizatë e edhe shtete të veçanta anëtare mund ta hedhin në gjyq Londrën, nëse ajo nuk e paguan faturën për ndarjen.

Por këtë kryeministrja britanike mund ta kundërshtojë, po të bazohet në ekspertizën e juristëve vendas, shpjegon Baronesha Kishwer Falkner, e cila është anëtare e Dhomës së Sipërme. Ajo thotë se “ata janë pjesë e negociatave, por ata forcojnë pozicionin e qeverisë britanike”.

Programe evropiane me interes
Megjithatë britanikët do të kenë dëshirë të marrin pjesë edhe më tej, edhe pas daljes nga BE në disa programe evropiane – si për shembull në fushën e Shkencës dhe të Kërkimeve Shkencore. Edhe pas daljes ata duan të kenë qasjen më të mirë të mundshme në tregun e përbashkët evropian, siç u shpreh ministri i Brendshëm britanik Amber Rudd në fundjavë.

Rudd tha se “ne duhet të synojmë të kemi qasjen më të madhe të mundshme në tregun e përbashkët evropian. Nuk e dimë sa do të kushtojë kjo, por për këtë duhet të zhvillohen negociata”.

Ndoshta mosmarrëveshja për paratë do të zgjidhet vetëm në fund të vitit 2018 ose në fillim të 2019-ës, në një takim të nivelit të lartë të BE – pas ndonjë pokeri negociatash për gjithë natën./DW/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: