Nga: Preç ZOGAJ

Pala e re e debateve brenda Partisë Demokratike besoj se ka marrë shtytje dhe po sulmon kuota gjithnjë e më të larta nga disa sondazhe të botuara apo të pabotuara të kohëve të fundit, të cilët reklamojnë një mbështetje popullore vendnumëro ose në rënie, qoftë për Partinë qoftë për kryetarin e saj, zotin Basha. Njëri prej këtyre sondazheve, që mban autorësinë e zotit Eduard Zaloshnja, jepte shifra shqetësuese për diferencën midis popullaritetit të Kryeministrit dhe atij të shefit të opozitës.

Në të njëjtin sondazh, mbështetja për kryetarin historik të PD-së, zotin Sali Berisha, jepej më e lartë se për kryetarin Basha. Unë nuk po i përmend këto shifra me idenë se janë një gjë e ditur. Veç kësaj, nuk kam të dhëna e bindje as t’i pohoj, as t’i mohoj. E vërteta është se ato janë “pedana” e re ku kanë kërcyer debatet e diskutimet që po ziejnë brenda PD-së dhe rreth e rrotull saj. Kritikët e Bashës janë më aktivët në këtë debat, kuptohet. Ato i shohin si një vërtetim të parashikimeve që kanë bërë prej muajsh.

Ndonjë prej tyre, si Arben Imami, për shembull, një themelues i orëve të para të PD-së, i njohur në dekadën e parë të pluralizmit si një nga kritikët dhe kundërshtarët më të fortë të Berishës, i kërkon Sali Berishës të dalë nga dorëheqja që ka dhënë në vitin 2013 dhe të marrë një rol kujdestari në parti. Kritikët duhen vlerësuar e përballuar me sens demokratik kurdoherë.

Mjaft të rikujtojmë postulatin e famshëm të Roger Scruton që thotë “një identitet politik përforcohet mes padakordësive”. Por shqetësimi për trendin e mbështetjes popullore të PD-së dhe të kryetarit të saj është i mbështetësve të Bashës gjithashtu, i miqve të tij, i gjithë anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së, i opinionit publik, në përgjithësi, që ka nevojë dhe kërkon një alternativë të pushtetit. Përvoja shqiptare ka treguar se sa më të përçara e të turbulluara kanë qenë opozitat në periudha të caktuara aq më e madhe ka qenë papërgjegjshmëria e qeverive.

Koha ecën, shtrëngon. Zgjedhjet vendore do të fillojnë të shfaqen në horizont pas pak muajsh. Partia më e madhe e opozitës duhet ta dijë në çdo moment si lëviz mbështetja popullore për të. Për të shpresuar fitoren, PD duhet të jetë në një trajektore të ngritjes graduale qysh tani. Siç shohim të ketë ndodhur me partinë “Demokracia e Re” në Greqi. Siç ndodh kudo. Është e mundshme. Realisht, Shqipëria ka kohë qe pret opozitën e re, bërthamën dhe forcën e së cilës e gjejmë në PD, në elektoratin e gjerë të qendrës së djathtë. Fitorja nuk vjen kurrë si një rrufe në qiell të kthjellët, pavarësisht se ashtu si në një maratonë, kilometrat e fundit janë përcaktuese.

Po duhet të jesh në garë ama. Ngjitja dhe dalja në krye e PD-së varet nga shumë faktorë, vjen hap pas hapi, ka edhe një kontekst të ri ndërpartiak që nuk ka ekzistuar më parë, siç është zbatimi i Reformës në Drejtësi. Por për këtë temë do të flasim në një artikull tjetër. Ajo që varet njëqind për qind nga vetë PD qysh tani është shmangia njëherë e përgjithmonë e çdo elementi të ecjes kuturu, pa e ditur me saktësi në rrugë profesionale e jo empirike nivelin e mbështetjes popullore për çdo qëndrim. Për këtë, sipas meje, Partia Demokratike, duhet të bëjë dy gjëra.

E para, të ndajë njëherë e mirë qëndrimet e saj ndaj sondazheve të porositura nga kundërshtari politik për të krijuar diversion dhe tollovi (apo për ta rënduar edhe më shumë problemin e pazgjidhur të dualizmit, faktit të lidershipit – Basha apo Berisha – që i ka kushtuar e do të vazhdojë t’i kushtojë elektoralisht Partisë Demokratike derisa të zgjidhet) me qëndrimet ndaj disa qendrave dhe kompanive brenda dhe jashtë vendit, që i kanë gjetur pak a shumë rezultatet e zgjedhjeve dhe janë kredituar për këtë shkak relativisht të besueshme, ose të besueshme.

Kjo ndarje nuk është e vështirë të bëhet. Zakonisht, sondazhet me karakter diversionist nuk kanë autorësi, lëshohen me parimin hidh gurin e fshih dorë. Ose kanë autorësi pa histori, pa metodologji profesionale. Kurse kompanitë serioze janë tjetër. Edhe kur gabojnë e marrin përsipër gabimin. Që nga viti 2013, për shembull, Instituti “IPR marketing” në Itali me të mirënjohurin doktor Notto, që kontrakton televizioni “Ora News”, i gjen me një marzh të pranueshëm gabimi rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri.

Kjo kompani gjeti rezultatin e referendumit italian të dhjetorit 2106, që çoi në dorëheqjen e Kryeministrit të atëhershëm, Mateo Renzi dhe po ashtu gaboi në marzhe të vogla në sondazhet parazgjedhore dhe në Exit Pollet për zgjedhjet politike në Itali para tri javësh. Marzhi i gabimit të kësaj kompanie ka lëvizur përtej së zakonshmes në Shqipëri në zgjedhjet e vitit 2017, për shkak të blerjes së votave në javën e fundit të fushatës dhe ditën e zgjedhjeve.

Por nëse referojmë të dhënat e sondazheve të saj në dy javët e para të fushatës, ku PD shkoi deri në 37 për qind, shohim se kishte vërtetësi. Një gjë të ngjashme mund të themi edhe për sondazhet që bën herë pas here zoti Eduard Zaloshnja. Zaloshnja ka meritën që u del zot sondazheve të veta dhe përballet në arenë me kundërshtitë që krijon, duke reflektuar ndaj kundërshtive, që i gjen të arsyeshme. PD mund t’i konsiderojë ose jo sondazhet e të tjerëve – unë sugjeroj t’i konsiderojë për të marrë prej tyre atë që është racionale.

Ndërkaq, gjëja urgjente që duhet të bëjë tani dhe në vazhdimësi është të ketë sondazhet e veta reale. Që mund të bëhen ose nga njerëz të besuar e me integritet që shkojnë atje ku është votuesi dhe nuk kanë as drojë, as interes të fshehin të vërtetën, ose t’u porositen, kundrejt rregullave të tregut, kompanive apo individëve të sprovuar për seriozitetin e tyre. Me sondazhet reale në dorë mund të ndërtohen qëndrimet më të mira, mund të korrigjohen gabime, mund të nxirren blof diversionet e kundërshtarit. Nuk mund të vazhdohet me një refren, që dëgjohet rëndom për çdo sondazh që nuk pëlqehet, sikur e porosit apo i blen kundërshtari.

Koha ka treguar e tregon se jo të gjithë i porosit dhe i blen kundërshtari. E vërteta në këtë fushë është objektive në ndryshueshmërinë e saj nga një ditë në tjetrën, nga një legjislaturë në tjetrën. Sondazhet vetëm e fotografojnë atë në momentin e dhënë. Këtu, pra, është fjala për një gjë më të madhe, që ka të bëjë me njohjen, ashtu siç janë, e zhvillimeve në fushën e lojës politike dhe me ndërtimin e qëndrimeve në vartësi të perceptimeve dhe mbështetjes që jep publiku. Është një milion herë më keq të ngushëllohemi në padituri (të gënjejmë veten, thotë populli) se sa t’i qëndrojmë të vërtetës përballë, edhe kur nuk na pëlqen. Kështu mund ta ndryshojmë atë me punë. Kjo, sipas meje, është po aq e rëndësishme sa edhe futja në lojën politike e arsyes (ratio), për të cilën kemi shkruar e duhet të vazhdojmë të shkruajmë sa të mundemi.
Burimi: http://www.panorama.com.al/analiza-sondazhet-nxjerrin-berishen-me-lart-se-bashen-pd-tani-duhet-qe-urgjentisht-te/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: