“Çelje negociatash për Shqipërinë pas plotësimit të kushteve”. Është ky vendimi i grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman të cilat votuan sot rezolutën që ti rekomandohet qeverisë federale hapja e negociatave me kushte për Shqipërinë. Krahas 9 kushteve kryesore, vendit tonë në rezolutën e votuar sot në parlamentin gjerman i vendosen edhe disa nënkushte të tjera.

Në krye të shqetësimit të Bundestagut gjerman është kriza politike në Shqipëri, e cila në rezolutë, konsiderohet e rëndë, ndaj edhe apelohen palët të nisin sa më shpejt dialogun për ta kapërcyer atë.

“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,- thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Dok Bundestag
Dok Bundestag

Në këtë dokument grupet parlamentare të koalicionit qeverisës në Gjermani nuk kanë një datë për çeljen e negociatave për Shqipërinë, shifra e vetme për të cilën flitet janë kushtet të cilat nga 7 kanë shkuar në 9.

E reja e dy kushteve të Gjermanisë këtë vit është se ato lidhen drejtpërsëdrejti me problemet me zgjedhjet, përfshirë edhe ato të 30 Qershorit.

1. Procedime penale të shpejta për ata që janë përfshirë në blerje votash.
2. Një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërine e votimeve të 30 Qershorit dhe nëse urdhërohet përsëritja e këtyre zgjedhjeve ato të bëhen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor.

Kushtet e tjera kanë të bëjnë me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë si SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse, dënimi i zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson përpjekjet për reforma në vend, ndonëse nënvizon edhe mangësitë. “Komisioni arrin në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e reformave në fushat kryesore të administratës, drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut. Në qershor 2018, në konkluzionet e tij Këshilli shprehu miratimin për marrjen e vendimit për hapjen e bisedimeve të pranimit në vitin 2019 në bazë të progresit të arritur deri më tani si dhe përmbushjes së kritereve kyçe të përcaktuara. Që prej asaj kohe Shqipëria i ka çuar më tej përpjekjet e saj për reforma dhe ka bërë përparim në kriteret kyçe”, thuhet në dokument.

Pavarësisht se vlerëson se sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali ra me 81% brenda një viti, viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017) për grupet parlamentare në Gjermani, Shqipëria mbetet sidoqoftë, bazë e trafikut të drogës për tregun evropian.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Tashmë është bërë progres i dukshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në bashkëpunim intensiv me autoritetet italiane janë realizuar fluturime të shumta vëzhguese për të gjurmuar plantacionet. Madhësia e plantacioneve të kultivuara është zvogëluar ndjeshëm.
Sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali – një tregues i sasisë së kultivuar – ra me 81% brenda një viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017). Ekziston edhe një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet gjermane. Shqipëria mbetet sidoqoftw, qender e trafikut tw drogws për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.
Në lidhje me reformën në administratën publike, Shqipëria gjithashtu ka bërë përparim në efikasitetin dhe transparencën e shërbimeve publike. Këto duhet të konsolidohen në mënyrë që të ngrihet një administratë publike më efikase, e depolitizuar dhe profesionale”, thuhet më tej.

Ndërsa i njeh këto arritje Shqipërisë grupet parlamentare të CDU-CSU dhe SPD i kërkon Qeverisë Federale që:
1. Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që
a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.
– Të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave pwrmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar
– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;
– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,
– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar
– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,
– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive,
– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

2. Të sigurojë, që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;

3. Të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat

– Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,
– Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;

4. Të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe;

Të sigurojë që shtjellimi i ketyre kapitujve (para së gjithash kapitulli 23 Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore, kapitulli 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) të kryhet në fillim të negociatave dhe ato të mbyllen vetëm në fund të negociatave. Planet e veprimit për këto kapituj të propozuar nga Komisioni duhet të përcaktojnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave përbën një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj; kapitujt e tjerë të negociatave nuk duhet të hapen më parë. Komisioni duhet të raportojë rregullisht për zbatimin e planeve të veprimit, përveç progres raporteve vjetore. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha.
Bundestagu rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar në përputhje me ligjin federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman për çështjet e BE-së nëse ai konkludon se kushtet për hapjen e kapitujve të negociatave nuk janë përmbushur;

5. Të sigurojë, që temat
– Institucione demokratike funksionale,
– Reforma në administratën publike,
– Zhvillimi ekonomik dhe aftësia konkuruese,
– Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal,
– Liria e shtypit dhe e medias,
– Të drejtat e grupeve më vulnerabwl dhe anëtarëve të pakicave,
– Shoqëri civile aktive
– Të pasqyrojnë pikat thelbësore të negociatave të anëtarësimit.

6. Të sigurojë që Shqipëria të përmbushë plotësisht kriteret politike dhe ekonomike në rast anëtarësimi. Përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit mbetet parakusht për anëtarësimin. Nuk duhet të ketë anëtarësim automatik, për shembull duke përmendur një datë pranimi përpara përfundimit të negociatave;

7. Të angazhohet që në përshtatjen me aktin komunitar (acquis communautaire) të arrihen sa më pak rregulla të përkohshme dhe përjashtime; Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE dhe duhet të pranojë që Acquis të mos zbehet nga negociatat;

8. Të angazhohet që Shqipëria gjatë procesit të negociatave t‘i nënshtrohet dispozitave të Paktit Evropian të Stabilitetit dhe të Rritjes dhe ajo të respektojë kriteret e Stabilitetit të Traktatit të Mastrihtit përpara se të mund të bashkohej zyrtarisht në bashkimin monetar pas një anetarësimi të mundshëm;

9. Të informojë në vazhdim Bundestagun gjerman në përputhje me nenin 3 deri 6 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman në çështjet e BE-së mbi përparimin e negociatave të pranimit dhe gjithashtu të qartësojë pozicionin e saj. Progresi në rrugën e pranimit nuk duhet të vlerësohet vetëm nga Komisioni, por edhe rregullisht nga Qeveria Federale duke përfshirë këtu përfaqësitë e saj diplomatike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb