TIRANË

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha pyet kryeministrin Edi Rama se sa i sigurt është që nuk do t’i rikthehen vizat shqiptarëve. Në një status në “Facebook”, Gjosha shkruan se Rama nuk duhet të ishte sot në Londër por duke drejtuar mbledhjen urgjente me institucionet përgjegjëse për lëvizjen e lirë.


Sipas saj, sinjali i dhënë nga Komisioneri Avromopoulos është alarmues. Më tej ish-deputetja i bën thirrje qeverisë ta trajtojë këtë çështje me seriozitet.


POSTIMI I GJOSHËS
Z. Kryeministër sa i sigurt jeni që nuk do t’i rikthehen vizat shqiptarëve, apo aq sa ishit i sigurt dhe triumfator edhe vjet kur i mashtruat për çeljen e negociatave?
Sa turp për ju që keni harruar të qeverisni për qytetarët! Sa turp për ju që shkelët me këmbë perspektivën europiane të Shqipërisë! Sa turp për ju që sillni vetëm përçarje në këtë shoqërinë tonë të varfëruar deri në palcë!
Sot nuk duhet të ishit në Londër por duke drejtuar mbledhjen urgjente me institucionet përgjegjëse për lëvizjen e lirë.
Sinjali i dhënë nga Komisioneri Avromopoulos është alarmues dhe ai shkon në të njëjtën linjë me kërkesën zyrtare të ardhur nga Holanda për pezullimin e vizave si dhe ngritjes së këtij problemi edhe më parë nga Franca, Belgjika dhe shumë partnerë të tjerë europianë.
I bëj thirrje qeverisë shqiptare ta trajtojë këtë çështje me seriozitet pavarësisht shpërfilljes që i bën Kryeministri në largim, duke bashkëpunuar me partnerët europianë. Ministria e Brendshme dhe Policia e shtetit luajnë një rol kyç në përmbushjen e këtij detyrimi.
Ndërkohë dëshiroj të rizgjoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme se është detyrë e saj kryesore të koordinoj të gjitha kërkesat e ardhura nga BE me institucionet e tjera përgjegjëse. Është urgjente miratimi i një plani masash për parandalimin e fenomenit të azilkërkuesve, duke analizuar në thelb pse ndodh ky fenomen, cilat janë shkaqet, duke filluar me trajtimin e çështjes në gjenezë si pasojë ekonomiko-sociale!


Parandalimi duhet të ndodhë sot, nesër mund të jetë shumë vonë dhe me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë! Të gjithë kemi në memorien tonë rradhët e gjata në ambasada. Uroj që kjo t’i përkasë vetëm të shkuarës, sepse e ardhmja duhet t’i përkasë Shqipërisë europiane dhe jo Shqipërisë rrethuar nga kufijtë dhe izolimi!

Gjosha Fb
Gjosha Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb