“Unë e kam ndierë shumë mungesën e tij, do doja që të kisha mendimin e tij. Për çdo gjë unë flisja me të”. Vetëm në fillim të muajit, Sadije Agolli, e veja e shkrimtarit Dritëro Agolli fliste kështu për mallin 2-vjeçar për të shoqin. Në përvjetorin e ikjes së tij, ajo ndjente se kjo mund të ishte intervista e saj e fundit dhe “linte amanet”, që shtëpia e tij të kthehej muze, siç parashihte një projekt i Bashkisë së Tiranës. I ishte dashur shumë kohë të pranonte që ta linte këtë shtëpi e ta jepte për muze. “Këtu është gjithë jeta ime, të gjitha kujtimet e mia. Unë nuk mund të jetoj jashtë saj”, qe shprehur ajo në fillim kur iu propozua nga bashkia. Ju deshën dy vite për ta pranuar që shtëpia e saj, nuk mund të ishte vetëm e saj dhe se shkrimtari duhej t’u përkiste të gjithë. Por bash kur e pranoi që duhej të linte shtëpinë, ajo iku në mënyrë të pakthyeshme, duke lënë pas shtëpinë, kujtimet, mallin dhe familjen. Iku pranë Dritëroit, me mungesën e të cilit nuk u mësua kurrë.

Ajo u nda dje nga jeta tek Neurologjia në QSUT, pas një hemorragjie cerebrale. Ndonëse të jepte imazhin e një gruaje të fortë, siç në të vërtetë ishte, ajo u shua, pothuaj “papritur” për shumëkënd.

Ishte 76 vjeçe dhe iku 2 vite pas të shoqit, shokut të saj të jetës, shkrimtarit të saj më të dashur, njeriut me të cilin ndau jetën dhe i qe redaktore.  Lexuesja e parë e shkrimtarit, ajo kalonte net të tëra mbi makinën e shkrimit, për të radhitur ato që Dritëroi shkruante me shkrim dore nëpër letra. Asaj iu kushtuan poezi pa fund dhe kushtime nga Dritëroi derisa ai mbylli sytë. Ajo i rrinte pranë në dhomën e drunjtë e priste e përcillte miqtë e tij devollitë, mbushte gotat e rakisë dhe ishte mendja e tij dytë. Ishte, një dashuri e bukur 52-vjeçare.

Jetoi me kujtimet e tij, pa mundur ta pranonte ikjen, jetonte me porositë e personazhet e të shoqit.

“Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim”, thoshte Sadija për shtëpinë e tyre në pallatin me kube.

“U prehsh në paqe, Sadije Agolli, gruaja që rrezatoi fisnikëri dhe dinjitet përkrah patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli, e në këtë udhë jo fort të lehtë, Sadija ish jo vetëm një dëshmitare dhe njëherazi qëndrestare kurajoze, por edhe një kapitull me vlerë i Historisë së Letërsisë Shqipe”, tha dje studiuesi Ermir Nika.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb