TIRANE- Një histori prekëse është bërë sot pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti. Protagoniste është bërë një 45-vjeçare, e cila ka sakrifikuar gjithçka për të mbajtur dajën e saj të moshuar. 74-vjeçari Pal Doda nuk ka fëmijë, është i vetëm dhe vuan nga një sëmundje e rëndë, nga parkinsoni.

Marjeta Sula, vajza e motrës të së moshuarit nga studio e emisionit apeloi për ndihmë. Ajo tregon se nuk do që ta braktisë dajën e saj, por e vetmja gjë që kërkon, është ndihma. Marjeta nga studio e emisionit pohoi se kishte sakrifikuar gjithçka, punën, familjen dhe çdo gjë tjetër. Teksa qëndron afër dajës, Marjeta kërkon një pension kujdestarie.

“Kam pasur përkrahjen e familjes, por ka pasur edhe zëra kundër. Por nuk pyet. Daja më sheh në dritë të syrit. Më sheh si diçka të shenjtë. Kam qenë mbesa e parë. Kemi shkuar shumë. Kur e mora, nuk mendova gjatë, se më dhimbsej. Por tani kam shumë vështirësi financiare, pasi u detyrova që të lija edhe punën. Po punoja në treg, shisja, por më merrte në telefon; ‘eja, eja’. Ndaj u detyrova që ta lë punën. Por unë dua një përkrahje nga shteti, të kem një kujdestari. E di që nuk përfiton kemp, të paktën kështu më kanë thënë. Daja ka vetëm pensionin, por si del ai. Unë dua që të marr kujdestarinë ligjore”, tha Marjeta, raporton ‘BalkanWeb’.

Parkinsoni është një sëmundje e vështire, por nëse do t’i referohemi ligjit dhe kategorive që përfitojnë pension përkujdesjeje, kjo diagnozë nuk përfshihet. Apeli shkon edhe tek institucionet të cilat duhet te rishikojnë kategoritë e përfituesve të kujdestarisë. Kjo situatë me të cilët përballet sot Marjeta, është një situatë që mund te përngjaj edhe me shume raste të tjera.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb