NGA ERMELINDA HOXHAJ

Mirela Ruko, aktiviste e “Lëvizjes për Universitetin” i ka hedhur salcë në kokë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Ministrja ishte e ulur në radhën e parë gjatë Samitit të Studentëve të FRESH, kur studentja 23-vjeçarja nga Fieri i është afruar ngadalë dhe në momentin që ka qenë përballë saj i ka zbrazur në kokë një shishe me salcë domateje. Në videon e publikuar nga “Lëvizja” në faqen e vet në “Facebook”, shihet momenti kur vajza ecën qetësisht dhe i afrohet ministres dhe më pas i hedh salcën në flokë.

Lëvizja
“Lëvizja për Universitetin” prej dy vitesh tashmë është një nga zërat më kritikë ndaj MAS dhe politikave të saj. Kanë qenë aktivistët e kësaj lëvizjeje, studentë dhe pedagogë të universiteteve publike, që kanë organizuar një sërë protestash kundër ligjit të ri të arsimit të lartë. Po ashtu, ata mbështetën edhe protestat e maturantëve këtë vit të ri, të cilët protestuan ndaj kritereve të reja të pranimeve në universitet. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësues të “Lëvizjes për Universitetin” kanë sqaruar për “GSH” arsyen përse zgjodhën salcë dhe jo bojë.

“Ky ishte një aksion i menduar më herët. Arsyeja përse zgjodhëm salcë domateje, keçap, ishte së nëse do i hidhnim bojë, edhe akuzat ndaj nesh do ishin më të mëdha. Se mund të shkaktojë helmim dhe t’i vihet jeta në rrezik personit. Por, ideja ishte që ta lyenim me diçka dhe shumë mirë kjo gjë bëhet me salcë domateje. Në lidhje me shoqërimin në polici, Mirela është marrë që në orën 17:05, por nuk do japë asnjë deklaratë në lidhje me këtë aksion. Edhe nëse do vendosin gjobë, apo do hapin procese gjyqësore, ne nuk do t’i paguajmë. Gjyqi po vazhdon dhe mund të mbyllet me gjoba ndaj nesh, që s’do e pranojmë, ashtu dhe për gjobat që vendosën pasi aktivistët e ‘Lëvizjes’ u vunë emrin e merituar deputetëve nëpër kazanë plehrash”, – sqaron “Lëvizja për Universitetin”.

KUSH ËSHTË MIRELA
Mirela Ruko është studentë e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetit të Tiranës, ajo ka mbaruar studimet bachelor për Sociologji dhe po në këtë fakultet ka vijuar studimet master. Ajo është 23 vjeçe dhe është nga qyteti i Fierit. Këtë vit akademik 23-vjeçarja duhet të vijonte studimet në vitin e dytë “Master Shkencor” te Shkencat Sociale, por duke qenë se tarifat janë të kripura, nuk po i ndjek studimet, pasi nuk mund të përballojë pagesën e tarifës së shkollimit. Mirela Ruko është një ndër aktivistet më të spikatura të “Lëvizjes për Universitetin”. Ajo ka qenë pjesë e grupit të studentëve, të cilët kanë goditur me vezë kryeministrin Rama, teksa ky i fundit hynte në Fakultetin e Shkencave Sociale.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb