TIRANË- Mbrëmjen e djeshme ish-badigardi i Sali Berishës, një emër i lakuar shpesh në media për shkak edhe të djalit të tij këngëtar, reperit Stresi, është shoqëruar për disa orë në ambientet e policisë së Tiranës.
I kontaktuar nga “BalkanWeb”, Lusha ka treguar se gjithçka ka ndodhur për shkak se ai u bë dje pjesë e protestës së Partisë Demokratike.
“Pas protestës, efektivët kanë shkuar në shtëpi dhe kanë kërkuar të më shoqërojnë mua. Aty kanë gjetur vetëm djalin tim. Pasi ai më kontaktoi rreth orës 8:30 apo 9 unë kam shkuar vetë në policinë e Tiranës”,- ka rrëfyer Lusha për “BalkanWeb”.
Më pas ai tregon edhe bisedën me policët në komisariat, aty ku nuk i ka kursyer edhe batutat.
“Më pyetën a isha në protestën e PD, po i thashë. Unë kam protestuar gjithmonë për PD dhe ju duhet të na falënderoni se e mbyllëm atë 30 minuta para lejes, nuk kam shkelur asnjë ligj. Do dal në çdo protestë të PD nuk është fjali im që jam pak më i gjatë se të tjerët dhe bie në sy”,- sqaron Lusha.
Megjithatë, ai shton se pas marrjes në pyetje policët e kanë lënë të lirë. “Gjatë kohës që më merrnin në pyetje u sollën shumë mirë”,- sqaron Lusha ndër të tjera.
(m.a/BalkanWeb)