Ish-deputeti i PD Ervin Salianji në një dalje publike për mediat tha se ka dorëzuar në KPA një CD, ku ka përgjime dhe tregohet sesi prokurori Gent Osmani, nën shërbim të politikës, bën biseda inkriminuese me Alfred Alizotin,

Sipas tij, prokurori Osmani nuk duhet që të kalojë KPA-në, pasi përgjimet e dëftojnë qartë se ka lidhje me krimin për hesape politike. Ai tha se prokurori Osmani është vënë në shërbim të kryeministrit Rama dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj në veprimtari inkriminuese.

KPA do të marrë vendim nesër për prokurorin Gent Osmani.

“Sapo dorëzova një CD në Prokurori. Kam bërë me dije se në përgjime dikush komunikon me shtetasin Alfred Alizoton. E ka vënë vetë në përgjim dhe flet në mënyrë miqësore. Duket se është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të ish-ministrit Xhafaj, për ta mbajtur nën trysni.

Një prokuror vihet në shërbim të politikës për të ndikuar në një çështje të caktuar. Kam dorëzuar CD edhe në KPK. Për mua është e dhimbshme sesi prokurori Gent Osmani vihet në shërbim të politikës. Ai ka prishur dhe manipuluar një dosje të trafikut të drogës. Materiali është inkriminues për prokurorin Osmani. Rama dhe Xhafaj kanë vënë në shërbim të vetes një kriminel si Alfred Alizoti. Ne nuk po sulmojmë drejtësinë, por jemi për drejtësi të pavarur. Të tillë prokurorë duhet të dalin nga sistemi. E kam dorëzuar materialin sipas procedurave. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre për Gent Osmanin”, deklaroi ndër të tjera Salianji.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb