Në përfundim të vitit, kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, i dedikoi një mesazh ish-deputetit të PD, Ervin Salianji, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Fierit edhe në natën e ndërrimit të viteve.

Ai thekson se Salianji, i cili duhet të ishte me familjen e tij, po përballet me një padrejtësi. Ai e quajti Salianjin një përfaqësues të vlerave të vërteta të demokratëve, duke e uruar atë dhe familjen e tij për një Vit të Ri plot shëndet dhe forcë.

Qosja e përshkroi vitin që po mbyllet si të suksesshëm për institucionin që ai drejton, me shumë projekte në shërbime, infrastrukturë dhe turizëm. Ai nënvizoi se Bashkia e Kavajës ka arritur të menaxhojë borxhet dhe tani përgatitet për një vit sfidues me buxhetin më të madh në 34 vite dhe mbi 60 projekte infrastrukturore.

Qosja siguroi qytetarët se 2025 do të jetë një vit i shërbimeve të qëndrueshme dhe i ndryshimeve të mëdha për Kavajën dhe Shqipërinë.

Postimi i plotë

Në mbyllje të këtij viti, nuk mund të mos bëj një dedikim të veçantë për mikun tim Ervin Salianji, që sot në vend që të jetë i bashkuar në sofrën e ngrohtë të familjes së tij, po e kalon padrejtësisht vigjiljen e ndërrimit të viteve në qelinë e burgut të Fierit!

Të dashur miq,
Të dashur qytetarë të Kavajës,

Ndërsa mbyllim sot një vit me shumë punë dhe projekte të realizuara në shërbime, infrastrukturë, turizëm si dhe kemi vënë në lëvizje një përqasje zhvillimi të qëndrueshme që i ka dhënë dinjitet Bashkisë Kavajë dhe ka kthyer sytë tek Kavaja, si dhe ndërkohë që pasi kemi garantuar të ardhurat dhe kemi nën kontroll situatën e borxheve të trashëguara të Bashkisë, përgatitemi të nisim një vit sfidues me buxhetin më të madh të 34 viteve me mbi 60 projekte infrastrukture dhe shumë tepër, dua të kujtoj gjithashtu se nga këtu, nga demokratët dhe qytetarët e guximshëm të Kavajës po ndërtohet një alternativë e besueshme e ndryshimit dhe një shpresë e madhe për rrugën e fitores së demokratëve!

Një rrugë që respekton gjithçka! Historinë, qëndresën, respektin, mendimin ndryshe, dinjitetin e gjithsecilit dhe të vërtetën e gjithsecilit! Partia Demokratike është zëri i këtyre vlerave dhe patjetër që fitorja jonë në Kavajë për të gjithë ata që e kanë ndjekur ka qenë shprehje e saj! Një shprehje e bashkimit të demokratëve dhe qytetarëve rreth vlerave dhe forcës së pakonkurueshme të së vërtetës! Ervin Salianji ishte patjetër shprehja e paekuivoke e këtyre vlerave që çuan Kavajën drejt fitores!

Ervin Salianji është një fitues, një njeri që përfaqëson zërin e fuqishëm të së vërtetës së demokratëve dhe shoqërisë shqiptare që mezi pret fitoren dhe një fillim të ri për Shqipërinë! Kjo është dhe arsyeja përse atij i është hequr liria! Dua t’i uroj sonte Ervinit dhe familjes së tij, në emrin tim dhe të gjithë demokratëvë dhe qytetarëve të Kavajës, një Vit të Ri plot shëndet, e plot dritë e forcë për sfidat e mëdha që na presin në këtë vit zgjedhor!

Të dashur miq,
Të nderuar qytetarë të Kavajës,

Në vigjilje të këtij Vitit të Ri, dua të siguroj të gjithë qytetarët, se ky vit do të jet viti i shërbimeve të qëndrueshme e të modernizuara, i zgjerimit dhe pasurimit të hartë tonë turistike, viti i mbi 60 projekteteve infrastrukturore të shtrirë në të gjithë territorin dhe kryesisht njësitë administrative që ja kemi borxh, si dhe patjetër viti i ndërtimit të stadiumit Besa!
Le të punojmë të gjithë bashkë për ta bërë vitin 2025, vitin e ndryshimeve të mëdha për Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë!🇦🇱

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb