Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetës të tij në selinë e PD-së, e konsideroi si fushatë terrori kundër popullit opozitar, arrestimin e liderit të opozitës dhe mohimin e fjalës së lirë.

Ndërsa i cilësoi të pranishmit si qëndrestarët e 333 ditëve, Berisha tha se në librat e shenjtë, në kuptimin biblik, 333 është numri i shenjtë i cili lidh trininë Atin-Të Birin dhe Shenjtin dhe do të thotë, plotni, përsosmëri hyjnore për shërbimin ndaj të vërtetës, nuk e meriton kush më shumë këtë numër.

“Dua t’i dërgoj një përshëndetje të përzemërtë, kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në qelitë e burgut, deputetit të pamposhtur Ervin Salianji që qëndron si kollos kundër narkodiktaturës, sepse mbrojti të vërtetat dhe bëri detyrën si deputet.

Një mirënjohje të pakufishme dhe të atyre që nuk kanë ardhur sot këtu, por kanë qenë me ju çdo natë në këto 333 ditë”, tha Berisha.

Ai tha se funvitin e kaluar, Edi Rama, që e cilësoi si kreun e narkoregjimit dhe mafia ndërkombëtare e Sorosit urdhëruan izolimin, arrestimin dhe heqjen e të drejtës së fjalës, liderit të opozitës.

Berisha e konsideroi arrestimin si të paligjshëm. “Në serinë e sulmeve ndaj opozitës me ‘non gratat’, vjedhje flamuri, mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitarë në parlament, arrestimi i kreut të opozitës shënoi goditjen më të rëndë që na u bë, sepse me këtë akt, kreu i narkoshetit dhe mercenarët e tij, tentuan të shtinin terror, jo vetëm në votrat, por edhe në zemrat e demokratëve shqiptarë. Arrestimet e bujshme publike gjithmonë pasohen nga një valë frike për publikun”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb