TIRANË- Ervin Salianji, kandidat për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se kërkon të vrasë protestën. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në vend dhe incidenti me kryeministrin, Salianji krahason reagimin e pushtetit në Kosovë dhe atij në Shqipëri. Sipas tij, megjithëse në Kosovë kryeministri Isa Mustafa u qëllua disa herë me vezë dhe madje u përdor gaz lotsjellës në Kuvend nuk pati asnjë aksion dhune apo revanshi.


Salianji bën thirrje të lirohen studentët në të kundërt ai thotë se kryeministria do të lyhet me të verdhë.


“Të dashur miq dhe mbështetës; të dashur të rinj të Shqipërisë, Demokratë ose jo. Besoj e keni ndjekur në lajme se si një grup bashkëmoshatarësh protestues i kanë gjuajtur me vezë kryeministrit Rama. Besoj keni ndjekur se si, disa herë rresht, në Kuvendin e Kosovës, deputetët (që kanë përgjegjësi dhe motive politike, në çdo rast), kanë gjuajtur herë me vezë e herë (duke e tepruar për mendimin tim) me gaz lotsjellës, në drejtim të kryeministrit Mustafa dhe ministrave të tij.


Studentët këtu në Shqipëri, në mes të kryeqytetit, u dhunuan barbarisht dhe u arrestuan padrejtësisht nga policët e Sajmir Tahirit. Për ta: Turp çuna! Kujtoni pak se asnjë aksion dhune apo revanshi nuk pati në Kuvendin e  Kosovës. Kujtoni gjithashtu se ai Kuvend dhe ajo Qeveri kanë në përbërje luftëtarë të UÇK, që me armë në dorë kanë luftuar për lirinë e asaj toke shqiptare.

Tipat që mbushin grupin parlamentar të mazhorancës Rama-Meta besoj i njihni të gjithë. Bëjeni vetë ndarjen: ku janë trimat dhe ku burracakët? Në Tiranë apo Prishtinë? 25 vjet pas Lëvizjes së Dhjetorit, nga ku lindi e drejta e protestës, Edi Rama kërkon të vrasë Protestën. Në emrin tim personal, besoj të rinjve Demokratë, dhe të mbështetësve të mi, i kërkoj kryeministrit të lirojë menjëherë studentët e arrestuar!

Në të kundërt, ju ftoj t’ia ngjyejmë me të verdhë strehën e re të Kryeministrisë që e ka kthyer në Kinema Paradisso të një Shqipërie që ekziston veç në mendjen e tij!”, shprehet Salianji.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: