TIRANE

Përmes një postimi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji  ka reaguar në lidhje me mos dekretimin e Gent Cakajt si Ministër  i Jashtëm nga Presidenti Ilir Meta.

Salianji shkruan se Rama dhe DSIK i kanë dhënë certifikatën e sigurisë aplikuesit zëvendës ministër që nuk e ka marrë për muaj me radhë certifikatën. Ndërsa më tej shton se: “për deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare u deshën 5 muaj verifikime dhe konfirmime nga të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, madje disa deputetëve të Rilindjes nuk iu dha kjo çertifikatë nga DSIK”.

POSTIMI I PLOTË:

Rama dhe DSIK (institucion në vartësi të tij) i jep çertifikatën e sigurisë brenda një dite aplikuesit zëvendës ministër që nuk e ka marrë për muaj me radhë çertifikatën! Ndërsa për deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare u deshën 5 muaj verifikime dhe konfirmime nga të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, madje disa deputetëve të Rilindjes nuk iu dha kjo çertifikatë nga DSIK.

Situata është edhe më delikate kur shtetasi ka jetuar për periudha të gjata kohore jashtë Shqipërisë dhe akoma më delikate kur flitet për ndryshim kufijsh që cënon drejtperdrejt sigurinë kombëtare.

Rama po qeveris në tejkalim të ligjit dhe kushtetutës; fjala e tij është mbi ligjin për të vendosur çdo vartës të tij në shërbim të qëllimeve që po nënkuptohen.

Institucionet më të rëndësishme si DSIK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që trajton dhe informacionet për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve u provua në këtë rast se përdoret lehtësisht nga KM.

Vendimi i Presidentit të Republikës eshte kushtetues derisa gjykata të shprehet, kushtetueshmerine ose jo e vendos Gjykata Kushtetuese jo KM!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb