Këtë të enjte, sërish në Teatrin Kombëtar Eksperimental vjen “Salome”, për herë të fundit për këtë sezon, e për tu rikthye në shtator. Për Ermira Hysajn, aktoren që interpreton rolin kryesor, eksperienca në këtë projekt teatror është ndër më të rëndësishmet, dhe personazhi i Salomes që i është besuar, është padyshim roli i karrierës.


“Është një rol që ta merr frymëmarrjen dhe e nxjerr me shumë vështirësi. Për mua është një rol shumë i bukur, është një rol karriere padiskutim, ndihem me fat që më është besuar. Do më mungojë shumë. Do pres me padurim shtatorin dhe tetorin që të rikthehet”, thotë aktorja Ermira Hysaj.

Drama “Salome” është tragjedi me një akt, e cila vendoset gjatë periudhës biblike në Judé, një zonë historike, me shtrirje në Lindjen e Mesme, pranë së cilës sot ndodhen Palestina dhe Izraeli.

“Është një kast aktorësh vërtet shumë i mirë, profesionist. Është fat të kesh kolegë të mirë, të ta hedhin batutën mirë, t’i besosh të gjitha skenat, të gjitha ndjesitë e tua”, tregon Hysaj për eksperiencën e saj në këtë projekt.

Ermira Hysaj është pjesë e trupës së teatrit eksperimental prej vitesh. Ajo ka spikatur me disa role, dhe e përmbyll këtë sezon artistik në teatër me personazhin e Kalfunias, gruas së Jul Cezarit, së shpejti premierë në Teatrin Eksperimental.

“Salomeja është brenda qënies time. Por në momentin që filloj një projekt tjetër, stopon dhe fillojnë hormone e ndjesitë për të krijuar një krijesë tjetër. Jemi në hapat e para, kemi vetëm një javë që kemi filluar procesin e provave. Bëhet fjalë për pjesën Jul Çezar, të Shekspirit…”- përfundon aktorja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb