TIRANE

Vepra më e njohur e Oskar Wild, ‘Salome’, me regji të Carlo Sciaccaluga vjen këtë të diel premierë në Teatrin eksperimental, ‘Kujtim Spahivogli’. Me një kast aktorësh që përfshin emrat më të mirë të skenës teatrale, kjo tragjedi do të provokojë publikun me skena sensuale, por edhe me dialogun tronditës.

Salomé është thjeshtra e mbretit Herod Antipas të Judesë. Ai është bashkëshort i Herodias, e cila është e mallkuar nga një profet me emrin Jokanaan (i njohur në Bibël si Gjon Pagëzori). Sipas tij, martesa e Herodit është e paligjshme, sepse Herodia është vejusha e vëllait të Herodit. Në Bibël, Salomé e ndihmon të ëmën të marrë hak ndaj Gjon Pagëzorit, ndërsa në veprën e Wilde, vendimet e Salomesë ndaj Jokanaanit vijnë si rezultat i dëshirës së saj për hakmarrje nga epshi. Për tmerrin e mbretit dhe për gëzimin e së ëmës, Salomé kërkon kokën e Jokanaanit në një pjatë argjendi, si shpërblim për vallen e shtatë vellove, që ajo do të kërcejë para mbretit Herod.

  • foto galeri
  • foto galeri

Aktorja që do të veshë kostumin e Salomesë, Ermira Hysaj, thekson se kjo vepër ka qenë një sprovë e vështirë. E ftuar në emision ‘Chic’ të Fjodora Dorës në Neës 24 protagonistja e kësaj premiere tregon më shumë për rolin, si është ndier dhe vështirësitë e një roli të tillë.

“Është një rol i vështirë që të lë pa gjumë natën por dhe shumë i bukur. Gjatë gjithë kohës e ke mendjen atje, edhe gjatë jetës së përditshme je Salome. Në momentin që je duke punuar për rolin je gjatë gjithë kohës në rol. Salome është një personazh i bukur, që do të thotë nuk kemi pse ta luajmë të bukurën. Nëse një përsonazh i bukur është fakt. E gjithë vepra është e bazuar mbi një pasion hormonal të frikshëm, kemi një përzierje pasionesh. Kemi një djalë sirian i dashuruar pas Salomese ndërkohë, që kjo e fundit dashuron një tjetër, Jokananin. Mbreti Herod dashuron Salomene domethënë askush nuk dashuron njeriun e duhur dhe këtu lind e gjithë tragjedia”- ka treguar aktorja.

“Bëhet fjalë për një vajzë të re, të cilën e tërheq gjatë gjithë kohës hormoni. Ajo nuk ka dashuar kurrë dhe papritur sheh një qënie që është njëlloj me të. Është një metamorfozë shumë e fortë që bëhet në një kohë shumë të shkurtër. Salomeja dashurohet me këtë njeri dhe në një kokë të shkurtër vendosi që të bënte gjithcka për atë njeri. Duke qenë se Jokanani e refuzon Salomenë ajo bëhet ekstremiste. Por atë e udhëheq pasioni dhe dashuria dhe jo hakmarrja. Ajomendon se vetëm të vdekur mund ta ketë përgjithmonë të sajin, madje dhe kur i jepet koka ajo flet sikur të ishte i gjallë. Ai ishte Zot për të”- vazhdon më tej ajo.

Pyetjes nëse kjo vepër ka një mesazh për ditët e sotme apo është thjesht një vepër e teatrit klasik që duhet përjetuar Ermira u përgjigj se është kjo e dyta dhe se dashuria është më e madhe se vdekja.

‘Është një nga klasikët e teatrit që duhet përjetuar. Mesazh shumë i fortë është se dashuria është më e madhe se vdekja’- përfundon aktorja.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb