Presidenti i Salvadorit, Nayib Bukele, të dielën, më 20 prill, i ofroi Venezuelës një shkëmbim prej 252 venezuelianësh të deportuar në vendin e tij nga Shtetet e Bashkuara, për një numër të barabartë të të burgosurve politikë të mbajtur nga regjimi i Presidentit Nicolas Maduro.

Të burgosurit do të dërgoheshin “në këmbim të lirimit dhe dorëzimit të një numri identik nga mijëra të burgosur politikë që ju mbani”, deklaroi Presidenti i Salvadorit, Bukele. Udhëheqësi salvadorian, i cili u prit në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, tha se “të gjithë venezuelianët që kemi në paraburgim u ndaluan si pjesë e një operacioni kundër bandave si Tren de Aragua në Shtetet e Bashkuara”.

Prokurori i përgjithshëm i Venezuelës më vonë të dielën e përshkroi si “cinik” propozimin e Presidentit salvadorian Bukele. “Unë kërkoj menjëherë listën e plotë me identifikimin e të gjithë të ndaluarve dhe statusin e tyre gjyqësor, si dhe prova të jetës dhe një raport mjekësor për secilin prej pengjeve”, tha Tarek William Saab në një deklaratë.

Në pak më shumë se një muaj, 288 migrantë të akuzuar nga administrata Trump se i përkisnin bandave, përfshirë Tren de Aragua, tani e përcaktuar si një organizatë terroriste nga Uashingtoni, janë dërguar në El Salvador. SHBA-të po paguajnë qeverinë e Bukeles për t’i burgosur ata në burgun famëkeq CECOT të vendit jashtë kryeqytetit të San Salvadorit.

Shtëpia e Bardhë është përplasur me gjyqtarët federalë, grupet e të drejtave dhe demokratët që thonë se Trump ka shkelur ose injoruar të drejtat e sanksionuara kushtetuese duke nxituar për të deportuar emigrantët, ndonjëherë pa të drejtën për një seancë dëgjimore.

Urdhri i së shtunës i Gjykatës Supreme ndaloi të paktën përkohësisht atë që grupet e të drejtave paralajmëruan se ishin dëbime të afërta të emigrantëve venezuelianë që mbaheshin në Teksas, të cilët janë akuzuar si anëtarë të bandave. Më gjerësisht, vendimi pengon përkohësisht qeverinë të vazhdojë të dëbojë emigrantët sipas Aktit të Armiqve të Huaj të vitit 1798 – i përdorur për herë të fundit për të mbledhur qytetarët japonezo-amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Trump sulmoi të dielën në platformën e tij Truth Social, duke mos e përmendur konkretisht gjykatën e lartë, por duke kritikuar “Gjyqtarët dhe Zyrtarët e Zbatimit të Ligjit të dobët dhe joefektivë që po lejojnë që ky sulm i lig ndaj Kombit tonë të vazhdojë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb