ATHINË– Një mesazh ndaj deputetëve, që të lënë mënjanë pasigurinë politike dhe destabilitetin duke zgjedhur presidentin e republikës, ka dërguar kryeministri Antonis Samaras, nëpërmjet një artikulli të tij të publikuar sot në gazetën greke ”Real News”.

Kryeministri sulmon ashpër SYRIZA-n, që e akuzon se me qëndrimin e saj dhe me retorikën e figurave partiake krijon një klimë frike në tregjet.

“Shqetësimi ekziston dhe është i përligjur dhe këtë e shkakton SYRIZA. Mirëpo demokracia ka armë për të neutralizuar këtë klimë frike. Me përgjegjësinë e deputetëve për të zgjedhur presidentin e republikës”, deklaroi Samaras.

Kryeministri deklaron se vendi po del nga kriza dhe se do të promovohet së shpejti marrëveshja me partnerët për mekanizmin e mbështetjes preventive.

Samaras madje akuzon SYRIZA-n se përpiqet ta ndërpresë këtë rrugë.

“Për dy muaj mbarojmë. Dhe po shkojnë të na ndalojnë. Në këtë moment mund të bëjmë hapin tjetër. Jemi shumë afër marrëveshjes. E vetmja që mbetet është të mënjanojmë retë e pasigurisë politike dhe destabilitetit. Të zgjedhim presidentin e republikës. Është një obligim kombëtar dhe lehtësim i vërtetë”, thekson Samaras.
(ma.ar/ANA-MPA/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: