Gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24” foli për figurën e Nënë Terezës, sot, kur kujtohet shenjtërimi i saj.

Samarxhi u shpreh se Nënë Tereza ka bërë krenarë shqiptarët kudo ata gjenden, kurse ka shtuar se ajo ka formuar historinë e shekullit.

“Nënë Tereza lindi si histori e gjenezës. Ajo formoi historinë e shekullit. Nënë Tereza është vazhdë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, është vazhdim i idelaeve më të shenjta të shqiptarëve, të humanizmit të lartë njerëzor. Nëna Terezë është vyrtyt i dashurisë njerëzore”, tha Samarxhi.

Ferdinand Samarxhi theksoi se Nënë Tereza është shqiptare dhe diti të bëjë krenarë këdo që ka gjak shqiptari, me shembullin e saj.

“Nënë Tereza është shqiptare. Atë duan ta “marrin” shovinistët maqedonas, por ajo e ka thënë edhe vetë se është shqiptare. Kur e pyetën Nënë Terezën, ajo tha se me besim jam katolike, po jetoj në Kalkutë, jam shkolluar në Britani, por me gjak jam nga një vend i vogël në Europë që quhet Shqipëri. Nënë tereza na nderoi në të gjithë botën, kurse qeveria komuniste nuk e lejonte të merrte pjesë as në varrezën e prindërve të saj. Nënë Tereza mori Nobel më 1979, ndërsa më 1989 mori pasaportë diplomatike ku bëri turne në shumë vende dhe në këtë vit erdhi në Shqipëri. Nënë Tereza ka thënë se vetëm dashuria mund të paqësojë botën. Ajo dha mesazhe të mëdha. Nëna Terezë duke pasur parasysh mësimet e Krishtit, i dërgoi këto mesazhe te popullata mbarë njerëzore.”, deklaroi ai.

Për Samarxhi, Nënë Tereza përbën pasaportën më të mirë për popullin shqiptar.

“Nënë Tereza është pasaporta më e mirë e shqiptarëve. Ne duam ta vlerësojmë figurën e saj. Nënë Tereza ndoqi deri në fund mësimet e Krishtit. Ajo iu foli mbarë popujve për dashuri e harmoni. E mbarë bota e përkujton me madhështi këtë figurë emblematike. Edhe pse kombi shqiptar është i vogël në numër, ai ka pse krehohet. Papa Gjon Pali i II e quajti Nënë Terezën një figurë të rrallë dhe hyjnore. Nënë Tereza ka marrë vlerësime nga figurat më të shquara fetare dhe politike globale. Duhet më kujdes ndaj kësaj figure madhore. Shumë shpejt ajo u bë shenjtore në kohë rekord, sepse ajo solli dashuri e harmoni”, tha Samarxhi.

Në fund, Samarxhi kujtoi faktin se edhe Kalkuta e mbarë globi e ka kujtuar Nënë Terezën, figurën dhe mësimet e saj për dashuri njerëzore.

“Nënë Tereza është kujtuar sot në të gjithë botën. Edhe vetë Papët nuk e kanë sjellë dashurinë dot në mënyrë kaq hyjnore sa Nënë Tereza. Nënë Tereza jonë solli një ideologji, atë sipas së cilës dashuria duhet ta udhëheqë njeriun”, u shpreh gazetari Samarxhi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb