Në bregun e liqenit Belshit është vendosur busti i Sami Frashërit, ideologut të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ai ishte Rilindasi që ëndërroi dhe pati propozuar para elitës së kohës që Belshi të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Sami Frashëri e pati bërë një propozim të tillë i nxitur edhe nga fakti se kjo zonë është kërthiza e Shqipërisë dhe se bukuritë natyrore të saj janë vërtetë të pazakonta si dhe për shkak të pozicionit të shkëlqyer gjeografik e për plot arsye të tjera.

Argumentet e shumta të paraqitura nga ana e këtij personaliteti të shquar edhe sot e kësaj dite nuk ka arritur dot kush t’i hedhë poshtë, pavarësisht se ka kaluar një kohë mjaft e gjatë që kur ai e bëri publike një ide të tillë. Dëshira e tij që Shqipëria të kishte një kryeqytet me kodra piktoreske e plot 85 liqene karstike ku çdo njëri duket edhe më i bukur se tjetri nuk u realizua asnjëherë.

Gjithsesi së fundi, Belshi dhe zona e Dumresë ia ka shpërblyer këtë konsideratë që kishte Rilindasi Sami Frashëri për këtë zonë duke e vendosur bustin e tij në bregun e liqenit buzë të cilit ngrihet kryeqendra e Dumresë. Ndërkohë, Bashkia e këtij qyteti po tregohet mjaft e kujdesshme në të gjitha aspektet për ti dhënë këtij qyteti dinjitetin e munguar. Belshi dita ditës po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqës për turistët sidomos për të huajt që po shtohen gjithnjë e më shumë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Tashmë të huajt e kanë zbuluar kryeqendrën e Dumresë si një ndër destinacionet e rëndësishme turistike dhe numri tyre po rritet në shifra të paimagjinueshme më parë. Investimet e shumta që po realizohen në të gjithë zonën e Dumresë dhe sidomos krijimi i një ansambli statujash dhe monumentesh në pedonalen e këtij qyteti jo vetëm që po ja shton vlerat dhe bukurinë Belshit, por po e bën ndër më të dashurit jo vetëm për vendasit por për të gjithë ata që e vizitojnë që largohen me mbresa e kujtime jashtëzakonisht të bukura.

Albert Hysa, Koordinatori për të Drejtën e Informimit në Bashkinë e Belshit bën me dije se pas vendosjes së bustit të Rilindësit Sami Frashëri dhe të Nimfës së Liqeneve në bregun e liqenit do të ketë të tjera surpriza rreth kompozimit të ansamblit monumental që ka filluar të “pushtojë hapësirat më të bukura të sheshit qendror të qytetit.

Sipas tij zona e Dumresë dhe kryeqendra e saj Belshi i ka të gjitha “burimet” për t’u ofruar gjithçka të mirë turistëve, qofshin këta vendas apo të huaj sepse kjo zonë ofron shumë mundësi relaksi dhe zbavitje pasi është e mbipopulluar nga kodrat piktoreske dhe liqenet e shumta karstike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb