E kemi fjalën për Bashkësinë Politike Europiane (BPE) krerët e vendeve anëtare të së cilës më 18 korrik u mblodhën në Pallatin ”Bleimheim” 100 km larg Londrës, në vendlindjen e Çurçillit, burrit të madh të shtetit britanik.

Brenda 5 orëve sa zgjati Samiti u bënë elozhe dhe urimet e rastit për mikpritësin, Kryeministrin e sapozgjedhur britanik, Keir Starmer; vetëkuptohet që ai ishte dhe përfituesi më i madh i Samitit, mbasi pati rastin e volitshëm për të paraqitur më shumë se në Uashington vizionet e tij për bashkëpunim më të madh cilësor me BE-në dhe për të qëndruar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndryshe nga paralajmërimet e paraardhësit të tij. Pastaj, takime të lira dypalëshe, tre tryeza rutinore për demokracinë, energjinë dhe migrimin e paligjshëm dhe foto familjare, të cilat u mbyllën me Pritjen nga Mbreti Charles III dhe me ftesën e Hungarisë, e cila do të jetë mikpritësja e Samitit të pestë më 7 nëntor të këtij viti.

Por, sërish, megjithë praninë për herë të parë dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs, KiE-së dhe OSBE-së, ky Samit mbeti në hije, me një pasqyrim minimal në median ndërkombëtare. Kjo shpjegohet me disa fakte dhe faktorë; BPE-ja u mblodh vetëm një javë mbas Samitit jubilar të 75 Vjetorit të themelimit të NATO-s, i pritur dhe përcjellë me jehonë planetare; ndërkohë, po më 18 Korrik, politika, publiku dhe media ndërkombëtare kishin ”gjah shumë më të majmë”.

Gjithkush ishte me ”sy dhe me veshë” në Uashingon për fatin e kandidaturës së Presidentit Biden e sidomos në Milwaukee, ku Trump pritej si hero nga republikanët e bashkuar si ”një trup i vetëm”, një javë mbas atentatit të dështuar kundër tij. Ndërkohë vëmendja ndërkombëtare ishte përqëndruar dhe në Strasburg, ku rizgjedhja e Von der Leyen në krye të Komisionit Europian ishte jetike për të ardhmen e BE-së. Kësisoj, Bleinheimi mbeti pothuaje ” jashtë radarit” politik, publik dhe mediatik.

Edhe Kryeministri Rama këtë radhë, veç atleteve të bardha, gjellës britanike dhe ndonjë foto simbolike ishte ” i varfër” në batuta, kunja dhe skupe mediatikë.

Për pasojë, Samiti i BPE-së i shtoi dhe më shumë pikpyetjet dhe diskutimet e deritanishme mbi këtë organizëm, vlerat, formatin e sidomos të ardhmen e tij. Mbi dy vjet mbas krijimit, bilanci i BPE-së nuk kishte si të ishte më i varfër se aq: vetëm 4 samite në Pragë, Kisinau, Alhambra dhe tani pranë Londrës. Padyshim me shprehjen e solidaritetit me Ukrainën, delikatesat kulinare, atraksionet turistike, të cilat në të tilla raste përmblidhen në shprehjen ”talk and eating” (fol dhe ha).

Më tej, ndryshe nga samitet e organizatave të tjera ndërkombëtare, edhe mesazhet politike në BPE jepen në mënyrë informale, pa fjalime plenare, pa kritika dhe ca më pak qortime; kësisoj, samitet e BPE-së mbyllën pa vendime apo premtime konkrete, pa asnjë deklaratë dhe komunikatë shtypi.

I gjithë ky katalog dhe fomat i veçantë i ”diplomacisë së sharmit” siç njihet, justifikohet me natyrën e veçantë të këtij grupimi dhe për të shmangur ndonjë incident që do të kompromentonte ose cënonte integritetin e këtyre forumeve.

Mirëpo praktikisht nuk ka si të ndodhë ndryshe kur deri tani BPE- ja nuk ka as sekretariat, as komitet drejtues, as axhendë dhe program për të ardhmen, as takime ministeriale, ekspertësh si me forumet e tjera të larta. Më e keqja është se nuk ka fare shenja në këtë drejtim. Edhe Franca si ideatore dhe nismëtare dhe diplomacia e saj me plot telashe në shtëpinë e tyre nuk kanë bërë asnjë hap tjetër mbas lançimit të saj me shumë pompë, bujë dhe zhurmë mediatike, jehona e të cilës gjithsesi u shua si ” flakë kashte”. Ndërsa nga mikpritësi britanik nuk kishte si të pritej diçka, sepse paraardhësit e tij humbësa historikë nuk i kishin lënë asgjë.

Në fakt, shumë pak e dinë çfarë është dhe bën KEP-ja dhe ca më pak se çdo të ndodhë me të në të ardhmen, se kështu siç është ” as ngroh dhe as ftoh”!! Ndonëse zyrtarisht, ky Grupim 2 vjeçar europian konsiderohet platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ” apo si ” intimitet strategjik” siç e cilësonte në fillim Presidenti Macron.

Shpresohej që mbas Samitit inaugurues të 6 Tetorit në Pragë, deri në takimin e Londrës, kishte 2 vite kohë të mjaftueshme për të përpunuar ide dhe mendime të ndryshme, me qëllim që mbi atë bazë të hartohej një program konkret me tematikat, instancat drejtuese dhe teknike bashkë me procedurat e tjera të nevojshme për të ardhmen e një organizimi të tillë madhor paneuropian. Kjo dhe për të shmangur paralelizmin dhe mbivendosjen me organizata të tjera Euro-Atlantike dhe mbi 20 nisma rajonale.

Ndërkohë, sfida dhe konkurrenca në këtë fushë është e madhe; ka forume dhe samite informale me emër dhe tradita, ku shquhen Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë e Munihut dhe Forumi Botëror i Davosit në Zvicër, ku mblidhen 4-5 herë më shumë liderë nga e gjithë bota, Europa dhe rajoni.

Në këto kushte, natyrshëm ridalin sërish në skenë dyshimet dhe hamendësimet e mëparshme. Përse ky grupim i ri? Cilat janë veçoritë e tij dalluese, përparësitë, dallimet, problemet dhe pengesat? Dhe a do të jetë vërtet një grupim apo organizatë e re politike apo thjesht një forum qeveritar sharmi. Apo do bëhet pjesë e “cirkut të samiteve” duke rënë në nivele ministrore dhe më tepër ”për larë gojën”?

Dihet se idenë për krijimin e BPE-së e hodhi Presidenti francez Macron më 9 Maj 2022 në Seancën Plenare të Parlamentit Europian në Strasburg; ajo u konfirmua në Samitin e BE-së me 24 Qershor në Bruksel. Në fakt, ai e sajoi këtë emërtim tingëllues diplomatik, mbasi ia refuzuan idenë e mëparshme për një BE “me dy korsi/shpejtësi ose me ”tri rrathë koncentrikë”. Sipas tij, KPE-ja do të ishte “ laborator gjeopolitik” në përgjigje të kërkesave dhe sfidave me të cilat përballej Europa, paqja dhe demokracia, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Komponenti i parë themelor lidhej me faktin se kriza e COVID – 19 dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës tregonte se BE-ja me 27 vende antare e ka të pamundur të luajë e vetme rolin e saj gjeopolitik në skenën europiane dhe më gjerë.

Në këto kushte, një ndër objektivat e saj kryesore ishte që në kuadrin e krijimit të një fronti të gjerë të shteteve demokratike të mblidhte rreth vehtes disa vende të tjera, të cilat nuk synojnë antarësimin në BE, si Norvegjia, Islanda, Zvicra, ose e kanë të pamundur këtë antarësim brenda një afati të shpejtë kohor; tipik është rasti i Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe i Ballkanit Perendimor.

Veç vendeve të lartpërmendur, për realizimin e objektivave të saj gjeopolitike, BE-ja kishte nevojë të ngutshme për zgjerim dhe kohezion politik dhe me vende të mëdha fqinje dhe shtete të fuqishme, si Britania e Madhe, Turqia dhe Ukraina.

Mirëpo, këto argumenta bien poshtë sepse BE-ja e luan këtë rol dhe pa BPE-në me 27 vendet e saj, në bashkëpunim me NATO-n, OSBE-në dhe KiE-në, ku praktikisht janë të 47 vendet e KPE-së, plus SHBA-të, Kanadanë dhe vende të tjera.

As shpjegimi i dytë se KPE-ja lindi si nevojë për t’i bërë ballë më mirë agresionit rus ndaj Ukrainës nuk është bindës. Mjafton të shohësh punën e bërë dhe masat e ndërmarra nga organizatat e tjera paneuropiane dhe më gjerë, del qartë se KPE-ja nuk ka luajtur ndonjë rol të veçantë. Më konkretisht, në aspektin ekonomik, në 29 muajt e fundit BE-ja ka miratuar 14 paketa me sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Ndërsa KiE-ja, në një nga samitet e saj të rralla në Islandë më 18 Maj 2023 hapi një Rregjistër me nënshkrimet e 41 nga 47 vendet antare ku shënohen krimet, humbjet, dëmet njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar agresioni rus në Ukrainë.

Në aspektin ushtarak, nën kryesimin e SHBA-ve dhe NATO-s, vepron aktivisht grupimi me 50 vende i vendeve që kontribuojnë me ndihma ushtarake për Ukrainën. Ndërkohë, më 15/16 Qershor u mblodh në Lozanë të Zvicrës Konferenca e parë e Paqes për Ukrainën, me praninë e 144 shteteve nga gjithë bota. Ndërkohë që Samiti i NATO-s në Uashington më 9 – 11 Korrik akordoi 50 miliard Euro ndihma për Kievin për vitin 2025, vendosi krijimin e komandës në Gjermani për dërgimin e furnizimeve dhe trajnimin e trupave ushtarake ukkrainase, dërgimin e avionave ushtarakë F – 16 e të tjera.

Nuk qëndron as ideja se KPE përbën një forum të përshtatshëm dhe të veçantë për vendet e rajonit tonë. Në tri 3 dekadat e fundit vendet tona janë bërë anëtare dhe kandidate të BE-së, OSBE-së, KiE-së, shumica dhe të NATO-s; në 9 vitet e fundit jemi pjestare aktive të Procesit të Berlinit dhe në mbi 20 nisma shumëpalëshe dhe rajonale. Madje, më 31 Maj 2023, në Samitin e Sigurisë në Bratislavë, BE-ja shpalli një “ plan të ri të rritjes ekonomike për Ballkanin” që është në zbatim e sipër.

Ndërsa përsa i takon idesë së KPE-së, si alternativë apo plotësim ndaj anëtarësimit në BE, ajo nuk” ngroh kërkënd dhe nuk “ngjit kurkund” sepse së pari, KPE-ja nuk zëvendëson dhe nuk e ngadalëson dot antarësimin në BE. Kjo mbasi ky proces krahas aspektit realpolitik, është në varësi të ecurisë së vendeve kandidate në procesin e reformave demokratike, arritjeve dhe të dinamikave brenda BE-së.

Së dyti, kjo hedh hije të mëdha dyshimi dhe mbi vetë anëtarësimin në BE, i cili dhe kështu është venitur si asnjëherë tjetër. Për të mos përmendur vende dhe në rajon që e kanë anëtarësimin në BE më tepër si “ karem” dhe si “gjethe fiku”, apo “krushqi për konvejencë”.

Së fundi, duke iu rikthyer aspekteve organizative, KPE-ja nuk mund të vazhdojë të funksionojë më kështu. Ndryshe ajo do të katandiset në një forum simbolik, në një lloj organizate shtetërore jo-qeveritare, duke e ulur më vonë dhe nivelin e përfaqësimit, një platformë pa bosht, ”pa bukë” dhe pa besueshmëri. Mirëpo nga ana tjetër nuk ka se çbën dhe në cilën” ombrellë” të futet, sepse të gjitha rrugët dhe shtigjet, hapësirat dhe tematikat gjeopolitike e demokratike janë zënë me kohë, nga BE-ja, NATO, KiE-ja, OSBE-ja dhe OKB-ja. Për pasojë, në stadiumin politik, BEP-ja do të duhej të “qëndronte në këmbë” ose ”përballë” por jo në Tribunën VIP.

Ja pse, përfundimisht, mbas Samitit të 18 Korrikut shpresat që BPE-ja të shënojë ndonjë ndryshim thelbësor në arkitekturën gjeopolitike në Europë janë zbehur dhe më shumë, duke shtuar pikpyetjet dhe dyshimet mbi efektivitetin e saj gjeopolitik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: