Udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u takuan në Bruksel në 18 dhjetor. Takimi shërbeu si një mundësi për të ndjekur momentin e ri për partneritetin strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë një reflektim se si të thellohet ky partneritet dhe të ecim përpara së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian, thuhet në një njoftim zyrtar të Komisionit Europian.
Temat kryesore të diskutimit ishin:
thellimi i angazhimit politik të BE-së me Ballkanin Perëndimor në fusha të shumta, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë
ndërtimin e një themeli ekonomik për të ardhmen dhe zbutjen e ndikimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës
bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar
Gjatë darkës, udhëheqësit diskutuan gjithashtu kontekstin gjeopolitik dhe sfidat që prekin të dy rajonet. Samiti u kryesua nga António Costa, President i Këshillit Evropian.
“Ne i përkasim të njëjtës familje evropiane. Ne ndajmë të njëjtin kontinent, por më e rëndësishmja, ne ndajmë vlera të përbashkëta dhe një histori të përbashkët”, tha Costa.
Në fund të Samitit u publikua edhe deklarata e përbashkët ku theksohet se “ne ndajmë një të ardhme të përbashkët dhe përballemi me sfida urgjente që mund t’i kapërcejmë vetëm së bashku. Ne u detyrohemi qytetarëve tanë të ndërtojmë një të ardhme paqeje dhe prosperiteti, të bazuar në parime dhe vlera të përbashkëta dhe në interesa të përbashkëta”.
BE-ja është e përkushtuar për të sjellë partnerët e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së tashmë gjatë procesit të zgjerimit.
“Integrimi i tyre gradual tashmë ka filluar në fusha të ndryshme të politikave, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët, në mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita.
Ne përgëzojmë pesë prej partnerëve për përgatitjen dhe paraqitjen e agjendave të tyre të reformave, të miratuara nga Komisioni, të cilat do të jenë baza e zbatimit të Planit të Rritjes”, thuhet në deklaratë.
BE-ja synon të thellojë më tej angazhimin e saj politik me partnerët e Ballkanit Perëndimor në fusha të tilla si: politikën e jashtme dhe të sigurisë, mbrojtjes, bashkëpunimi dhe qëndrueshmëria ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike për të kundërshtuar ndërhyrjen dhe dezinformimin e huaj etj.
Në deklaratën e Brukselit, BE-ja përshëndeti faktin që njerëzit nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor tani janë në gjendje të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, si dhe përparimin e bërë drejt përafrimit të shpejtë me politikën e vizave të BE-së nga disa partnerë të Ballkanit Perëndimor.
BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë një përgjegjësi të përbashkët për adresimin e sfidave të përbashkëta. Ata duhet të forcojnë bashkëpunimin e tyre në një numër fushash kryesore: menaxhimi i migracionit, politika kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, drejtësia dhe shteti i së drejtës.