Tregti botërore mund të bëhet edhe kundër vullnetit të presidentit Trump. Me përfundimin e marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Amerikës Jugore, të njohura si vendet e “Mercosur” i demonstrohet presidentit Trump, se kursi i tij është i gabuar. Në një kohë që pjesa tjetër e botës i rrëzon barrierat tregtare dhe hap tregje të reja, Trump izolohet me dogana.


Në samitin e G20 në Osaka, presidenti që ndjek rrugën unilaterale, tregoi, se nuk është i gatshëm të heqë dorë nga doganat ndëshkuese. Ato janë kthyer në instrumentin më të dashur të diplomacisë së çekiçit.


Ende ky instrument ka efekt, sepse SHBA janë të forta ekonomikisht dhe mund t’ia lejojnë vetes këto dogana importi, që në fund të fundit i paguan konsumatori amerikan. Por nëse koniunktura bie, situata mund të ndryshojë shpejt. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron ndërkohë, nga ndikimet negative në ekonominë botërore. Muret e izolimit do të kenë shpejt efekt negativ.


BE dhe shtetet e „Mercosur” ndjekin një rrugë tjetër e këtë e treguan në samit. Me ujdinë e arritur, që u negociua gati 20 vjet, ato tregojnë, se bashkëpunimi ndërkombëtar vërtet nuk është i lehtë, por është i mundur edhe në kohët e Trump dhe kundër vullnetit të qeverisë amerikane.

BE ecën përpara

Me këtë “Deal” mes Europës dhe Amerikës Jugore krijohet zona tregtare më e madhe botërore. Deri më tani këtë etiketë e mbante zona e lirë tregtare Japoni-BE, që është realitet nga fillimi i këtij viti. Europa është e mbetet pararoja e tregtisë botërore. BE ka mbyllur më shumë se 70 marrëveshje tregtare. Marrëveshja me Vietnamin pason këtë të dielë, një vend tjetër që Trump e kërcënon me ndëshkime doganore.

Natyrisht që marrëveshja me vendet e Mercosur nuk është në fuqi ende. Ajo duhet të ratifikohet. Kritikat sidomos për rregullat e eksportimit të mishit dhe kufizimet ekologjike janë shtuar. Ka për të pasur ende grindje. Por në fund ka një kompromis. Edhe marrëveshje të tjera tregtare, si ajo me Kanadanë apo vendet afrikane kanë defektet e avantazhet e tyre, por parimi mbetet i njëjtë: Tregti, shkëmbim, bashkëpunim në vend të nacionalizmit, izolacionizmit, pra tregti botërore.
Mesazh për Donald Trump

Në samitin e G20-s në Japoni, SHBA u përpoqën sërish t’i fusin sëpatën Organizatës Botërore të Tregtisë me refuzimin e dërgimit të gjykatësve për gjykatën e apelit të OBT. Qeveria amerikane propagandon një reformë të kësaj organizate që duhet kryesisht t’u vlejë interesave amerikane. Kjo nuk funksionon. OBT ka kuptim, vetëm atëherë, kur të gjithë anëtarët i nënshtrohen të njëjtat rregullave. Jo vetëm SHBA edhe vende të tjera si Kina apo Rusia tentojnë drejt proteksionizmit, pra mbrojtjen e firmave të veta nga konkurrenca. Kjo duhet të ndalë, nëse Organizata Botërore e Tregtisë duhet reformuar dhe tregtia të zgjerohet. Në këtë samit grupimi i G20-s nuk shënoi ndonjë hap përpara, megjithë retorikën.

Prandaj është një lajm i mirë, që BE dhe vendet e Mercosur ranë dakord për një marrëveshje tregtare pikërisht gjatë samitit të G20-s. Deri më tani SHBA nuk ka arritur ndonjë „deal” a la Trump me ndonjë partner të fuqishëm ekonomik. Me partnerin më të madh tregtar, Europën çdo gjë ka mbetur në vendnumëro. Kjo gjendje duhet të ndryshojë. Mesazhi për Donald Trump, që Shtëpinë e Bardhë po e kthen në zyrën më të madhe të doganave në botë, duhet të jetë: „Make trade great again!” – „”Bëjeni tregtinë sërish të madhe!”//DW