Që nga zgjedhjet europiane në maj, BE grindet, se kush do t’i marrë postet më të rëndësishme në BE. Zgjidhja nuk duket ende në horizont. Edhe sa kohë do të vazhdojë pokeri politik?


Në qiellin e Brukselit e natyrisht edhe në godinën e “Europës” – të Këshillit të BE-së varen re të errëta që paralajmërojnë rrebesh këto ditë. Të enjten takohen aty krerët e shteteve dhe qeverive në samitin e tyre të rregullt. “Kemi nevojë për një rrebesh shpëlarës për të parë më mirë në këtë gjendje të vagullt”, thotë një diplomat me përvojë në BE. Por realisht askush nuk e di, se si do të hapet perdja e paqartësisë në çështjen e zënies së posteve kryesore në BE. Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian në fund të majit duhet të zihen pesë poste: Presidenti apo presidentja e Komisionit Europian, i/e Këshillit të BE, i/e Parlamentit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane. Përveç kësaj edhe i/e ngarkuara i/e BE për politikën e jashtme, një lloj ministri i jashtëm. Në samitin e fundit para tre javësh, dy ditë pas zgjedhjeve europiane vetëm u vendos, që të paktën dy poste t’u jepen politikaneve femra.


Kërkim i vështirë i shumicave


Më shumë se kaq nuk u arrit, sepse për zënien e posteve të rëndësishme në BE nevojitet ujdi mes 28 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare dhe shumica në Parlamentin e sapozgjedhur Europian. Grupet e reja parlamentare nuk kanë arritur në një konkluzion, se cilin nga “kandidatët kryesorë” nga radhët e veta do vënë në krye të KE.

Në zgjedhjet europiane grupet kryesore, kristiandemokratët, socialdemokratët u dobësuan. Liberalët, Të Gjelbrit dhe populistët u forcuan. Për të arritur një shumicë të qëndrueshme nevojitet një bashkëpunim mes katër grupimeve të para. Kristiandemokratët, grupimi më i fortë këmbëngul që kreu i grupit parlamentar kristiandemokrat në PE, gjermani Manfred Weber të zgjidhet edhe presidenti i Komisionit. Por këtë e refuzojnë partitë e tjera në parlament si edhe disa krerë shtetesh e qeverish. Këshilli i BE ka të drejtën e propozimit, dhe pa emërimin e tij parlamenti nuk mund të votojë për askënd.

Prandaj ka tre javë që zhvillohen bisedime paraprake në Parlamentin Europian mes grupimeve parlamentare, tek partitë dhe Këshilli i BE. Në këto bisedime ka shkrepëtima dhe bubullima -si para ndërtesës në këtë verë të nxehtë të Brukselit- por “procesi nuk ka çuar në asnjë rezultat”, shprehet një diplomat i Brukselit.

Edhe në samitin e së enjtes nuk pritet zgjidhje për paketën pesëshe të personelit, samit që në çështjen e personelit krahas partive duhet të marrë në konsideratë edhe shpërndarjen brenda vendeve.

Nëse gjermanët marrin diçka, as francezët nuk duan të mbesin prapa. Europianolindorët apo vendet në jug nuk duhet të ndjehen të anashkaluar. Duhet gjetur një balancë mes të vegjëlve dhe të mëdhenjve, atyre që janë pagues neto apo marrësve të fondeve. Nga ana tjetër kandidatët duan të sjellin edhe aftësi, njohuri gjuhësore dhe gjininë e duhur.

Afati deri në fillim të korrikut

Për shkak se bëhet fjalë për vendime të rëndësishme për të ardhmen e BE, mund të merret koha e duhur për këtë, thotë një funksionar i lartë, që përgatit samitin. “Kemi një shans 100%, që deri në fillim të korrikut të kemi një zgjidhje.” Më 2 korrik Parlamenti Europian parashikon të zgjedhë në një seancë themeluese presidentin e tij. Nëse deri atëherë nuk dihet, se kush do t’i marrë postet e tjera ekuacioni do jetë i vështirë për t’u zgjidhur.

Ka gjasa që krerët e shteteve dhe qeverive të enjten mund të nxjerrin emra të rinj kandidatësh, që deri më tani nuk ishin në fokus. Ish-eurodeputeti i CDU-së, Elmar Brok apeloi në Deutsche Welle ndaj Këshillit të BE dhe parlamentit për përgjegjshmëri për ta bërë Europën të aftë për veprim. Presidenti i Komisionit Europian të bëhet ai që arrin një shumicë në parlament. “Ky mund të jetë edhe kandidati i partisë së dytë më të madhe. Por natyrisht kandidati i grupit më të madh parlamentar, pra fituesi i zgjedhjeve e ka i pari të drejtën për të kërkuar një shumicë.”

Me fjalë të tjera, nëse Manfred Weber nuk ia del të organizojë një shumicë, mund t’i vijë radha kandidatit socialdemokrat, Frans Timmermans. Ose liberalja Margaret Vestager, që nuk doli si kandidate në fushatë, por që gëzon mbështetjen e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Edhe një çikë klimë…

Kreu ende në detyrë i Këshillit të BE, Donald Tusk, të cilit në vjeshtë i mbaron mandati, bëri të ditur para samitit, se ende ka diferenca të mëdha mes vendeve, por ka vullnet për të gjetur një zgjidhje deri në fillim të korrikut. Tusk bëri të ditur, se do t’i vazhdojë bisedimet me krerët e veçantë të qeverive për të arritur më shpejt tek një zgjidhje.

Tusk kujtoi, se samiti trajton edhe çështje të tjera, si “axhendën strategjike të BE” për 5 vitet e ardhshme. Një rol të veçantë do të luajë edhe politika për klimën, që në disa vende është vendosur në qendër të debatit publik. BE duhet të marrë përsipër detyrimin që deri në vitin 2050 të bëjë ekonomi pa emetime të dioksidit karbonik, kërkojnë disa krerë shtetesh e qeveish. Të tjerë, krerë nga Europa lindore kanë ende dyshime nëse duhet dhe si duhet bërë kjo. Prandaj në çështjen e klimës nuk priten vendime të rëndësishme. Ajo do të shtyhet. Edhe këtu retë do të mbeten, me paralajmërimin për stuhi./DW