Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij në “Facebook”, 29 foto, ku rikthen në vëmendje samitin e Bankës Europiane për Zhvillim të mbajtur një ditë më parë në Londër, lidhur me investimet në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Rama, fotot i shoqëron me disa rreshta, ku thekson se dy vite më parë, proçesi Berlinit ka ndihmuar vendet e Ballkanit të arrijnë një progres të rëndësishëm në fusha të ndryshme, teksa më tej i fakton këto zhvillime përmes shifrave.

“Dje në Londër, në Samitin e BERZH për Investimet në Ballkanin Perëndimor me drejtues të qeverive dhe institucioneve financiare evropiane, investitorë dhe sipërmarrës, ku u diskutua mbi potencialet dhe mundësitë në rajon për zgjerimin e investimeve të huaja dhe zhvillimin e mëtejshëm të projekteve ndër-rajonale”, shkruan Rama.

Rama theksoi se ne Sektorin e Bujqesise do te punohet me nje mekanizem inovator, duke e shpjeguar me pas kete mekanizem.
“Qeveria Shqiptare, falë edhe mbështetjes së BERZH do të vazhdojë të mbështesë me përparësi sektorin privat, konkurueshmërinë dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Këtë vit do të punojmë me një mekanizëm inovator si Skema e Garancisë në Bujqësi, një linjë e dedikuar kreditimi për bankat shqiptare dhe institutet e mikrokredisë, për të financuar bujqësinë nëpërmjet projekteve inovatore në shkallë të gjerë. Gjithashtu, Krijimi i Fondit të Garancisë për Eksportuesit do të krijojë linja të reja kreditimi për ndërmarrjet eksportuese”, përfundon Rama deklaratën e tij.

Sipas Rames, “Procesi i Berlinit, që nisi 2 vjet më parë, ka ndihmuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë një progres thelbësor në fusha të ndryshme”.

“Gjatë vitit 2015, tregtia midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u rrit në mënyrë të konsiderueshme. Eksportet e Shqipërisë në rajon janë rritur me 216% në nëntë muajt e parë të 2015. Raporti ekonomik i Bankës Botërore për Shqipërinë, në tetor të vitit 2015 vlerësoi se “ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto”. Investimet e Huaja Direkte gjithashtu u rritën me më shumë se 100 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2015, krahasuar me vitin 2014”, tha më tej Kryeministri i vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: