*Mblidhet samiti i SEECP, mungon ministri i Jashtëm grek
*Daçiç: Serbia përpjekje për fqinjësi të mirë, edhe me Kosovën

TIRANË-Ministrat e Jashtëm të Rajonit janë mbledhur sot në Tiranë në samitin e SEECP. I pranishëm në samit është ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ndërkohë që mungon ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Në takimin do të diskutohet për zhvillimet aktuale dhe për promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Në mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të bashkëpunimit në Evropën juglindore do të bëhet ndërrimi i shtetit kryesues. Rolin e Shqipërisë tashmë e merr Bullgaria.

BUSHATI: HETIM TË PLOTË KUMANOVËS. NGJARJET, RREZIK PËR INTEGRIMIN E RAJONIT NË BE
Ora 16:27- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i pranishëm në këtë aktivitet e vuri theksin tek ngjarjet në Maqedoni, të cilat, sipas tij duhet të hetohen.

Ndër të tjera, ministri shtoi se pikërisht këto zhvillime në rajon i japin sinjale negative për integrimin në BE- të rajonit tonë.

“Të bëjmë më shumë që çështjet në Maqedoni të zbardhen, të zgjidhim mosmarrëveshjet, sigurua e çdo vendi të jetë e pandashme nga siguria jonë. Ne kemi kërkuar që ngjarjet të hetohen plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë sfond vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta brenda kuadrit të procesit të Berlinit…
Axhenda e integrimit është pjesë e së ardhmes, por ngjarjet e fundit treguan rrezikun e integrimit në BE”., -tha ai.

DAÇIÇ: SERBIA PËRPJEKJE PËR FQINJËSI TË MIRË, EDHE ME KOSOVËN
Ora 09:50- Ministri i Jashtëm i Serbisë, i pranishëm në këtë aktivitet theksoi se Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon si dhe po bën përpjeke për fqinjësi të mirë.

“Sa i përket perspektivave dhe rrugën tonë drejt BE, jam dakord me ju që janë arritur disa rezultate. Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon, është duke bërë përpjekjet e saj për fqinjësi të mirë, përfshirë këtu edhe dialogun me Prishtinën. Kjo është parë me atë që kemi bërë në rrugën e BE-së”,-tha ai.

Duka u ndalur tek çështjet e brendshme të Serbisë, Daçiç veçoi disa reforma të ndërmarra në kuadër të përshpejtimit të rrugës drejt BE-së. “Kemi ecur përpara në shumë fusha siç është ajo në luftën ndaj krimit, kemi pasur investime të shumta, kemi implementuar ligje të shumta që kanë të bëjnë me reformën në siguri, reformën për taksat. Po bëjmë përpjekje për reformën në administratë publike”.

Sipas ministrit serb, me rëndësi është integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

(a.n/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: