TIRANË- Samiti i SEECP­-së po zhvillon sot në Tiranë ditën e dytë të punimeve, që drejtohen sot nga kryeparlamentari Ilir Meta.

Meta deklaroi gjatë fjalës së tij se me rëndësi janë projektet ekonomike dhe infrastrukturore të cilat duhet të shkojnë paralel me procesin e integrimit të rajonit në BE.

Ai shtoi se ndërveprimi, ndërlidhja dhe heqja e barrierave do gjeneronin më shumë mundësi për çdo vend.

“Shqipëria beson fort se puna e këtij procesi duhet përqendruar në konkretizimin e projekteve madhore ekonomike-infrastrukturore paralel me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e shtetit ligjor. Bashkëpunimi rajonal konkretizohet vetëm përmes përkushtimit real ndaj heqjes së barrierave, fuqizimit të shkëmbimeve tregtare, konsolidimit të zonave rajonale ekonomike dhe zbatimit të vërtetë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, ndaj edhe veprimi dhe ndërlidhja duhet të jenë prioritetet tona kryesore, ndërlidhje përmes përforcimit të rrjetit infrastrukturor rrugor dhe forcimit të lidhjeve energjetike për të ardhmen, duke kontribuar kështu edhe në sigurinë energjetike të kontinentit tonë, si një rajon me rëndësi strategjike. Ndërveprim për ato çështje imediate që na prekin të gjithëve, veçanërisht në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Ndërveprimi, ndërlidhja dhe heqja e barrierave i shërbejnë gjenerimit e iniciativave sipërmarrëse, krijimit të një klime më të mirë për investitorët e huaj dhe na mundëson që të shkëmbejmë më shumë me njeri-tjetrin dhe që për rrjedhojë sjell një dinamizim të tregut të punës, veçanërisht për të rinjtë tanë që preken më tepër se çdo grupmoshë nga papunësia”

Më tej kryeparlamentari tha se, “Është detyra jonë të mbikëqyrim dhe të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe avancimi i perspektivës evropiane t’i shërbejnë krijimit të kushteve më të mira për gjenerimin e biznesit, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social. Ndaj besoj se jemi të gjithë dakord se funksionimi dhe forcimi i Asamblesë Parlamentare duhet të jetë prioritet për të gjithë Parlamentet tona”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: