Biznesmenë të suksesshëm nga rajoni janë mbledhur në samitin e parë të sipërmarrjes së Ballkanit, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Eventi i rëndësishëm organizuar nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë së Veriut mblodhi mbi 30 sipërmarrës elitë.


Në këtë samit merrte pjesë edhe zëvendëspresidenti i Hysenbelliu Group, Fatmir Hysenbelliu, i cili përveçse ndau përvojën e tij në një nga panelet e organizuar, vuri theksin te mënyra sesi behet biznes në Shqipëri.



“Ne ballkanasit kemi mësuar të hapemi ndaj sipërmarrjes 30 vjet më parë. Po ka qenë shumë e vështirë në krahasim me vendet e tjera. Ne tashmë po zhvillohemi më shumë dhe më shpejt se të tjerët. Në Ballkan kemi diçka që mund ta përmbledh me termin besnikëria.

Besnikëria në Shqipëri është shumë e rëndësishme, i dedikohet jo vetëm klientëve dhe partnerëve të biznesit. Shqipëria është një vend i vogël, nëse diçka i ndodh klientëve ose partnerëve që bashkëpunojmë, të gjithë vihemi në dijeni për problemet, për shkak të qarkullimit edhe në media të lajmeve”, tha Hysenbelliu.

Folës në samit ishte dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili u shpreh se kjo gjeneratë e re biznesmenësh beson se ajo çka ofrohet nëpër vendet e tyre është po aq e mirë, sa mundësitë që ofrojnë metropole botërore si New Yorku apo Londra.

Qëllimi i samitit të parë të sipërmarrjes së Ballkanit është të krijojë ura bashkëpunimi dhe të hapi mundësi të reja për gjeneratën e re të sipërmarrësve të rajonit, të cilët takimin e tyre do ta kthejnë në një traditë për të shkëmbyer eksperiencat.

(BalkanWeb)