TIRANE- Delegacioni i Shqipërisë, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, po merr pjesë në punimet e Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor. Në përbërje të delegacionit shqiptar në këtë Samit janë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
Dita e sotme e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
Sipas burimeve nga MPJ, ky Samit, i cili zhvillohet në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar, synon veçanërisht avancimin e axhendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE.
Në ditën e parë të Samitit, kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Shoqërisë civile, në kuadër të Samitit të Vjenës, ne kryeqytetin e Austrisë. Në këtë forum u diskutua nga kryeministriat e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneri Johannes Hahn mbi bashkëpunimin rajonal dhe rolin e shoqërisë civile.
Mbështetje e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Vjenës
Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Zëvendëspresidenti për Bashkimin e Energjisë, Maroš Šefčovič dhe Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, do të përfaqësojnë Bashkimin Evropian në Samitin e Ballkanit në Vjenë, sot më 27 gusht, drejtuar nga Kancelari Federal austriak Ëerner Faymann.
Samiti do të mbështetet në progresin e bërë që nga Samiti i Berlinit në gusht të vitit të kaluar, si dhe do të përpiqet të zhvillojë më tej bashkëpunimin mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Serbisë) për trajtimin e sfidave të tyre të përbashkëta, veçanërisht migrimin – një ndër temat kryesore të Samitit, që përfshin gjithashtu bashkëpunimin rajonal, dialogun fetar dhe antiekstremizmin. Samiti do të përfshijë sesione paralele për krerët e qeverive, ministrat e Punëve të Jashtme dhe ministrat e Ekonomisë.
Në sesionin e krerëve të qeverive, kryeministrat do të diskutojnë situatën aktuale ekonomike në rajon, çështjet e rinisë/arsimit profesional dhe ndërlidhjes. Në këtë sesion do të marrë pjesë Përfaqësuesja e Lartë /Zëvendëspresidentja Mogherini.
Lidhur me këtë, Mogherini është shprehur se, “Rajoni i Ballkanit Perëndimor përballon sfida të shumta, që nga nguti për përballimin e çështjeve të sigurisë dhe migrimit, deri te nevoja për trajtimin e vështirësive ekonomike dhe politike në shumë vende. Samiti i Ballkanit Perëndimor në Vjenë do të na japë një mundësi të rëndësishme, jo vetëm për të diskutuar sfidat aktuale, por edhe të ardhmen tonë të përbashkët”.
Ndërsa Komisioneri Hahn, së bashku me ministrat e Jashtëm do të diskutojnë çështjet aktuale parësore të bashkëpunimit rajonal dhe sfidat aktuale që lidhen me migrimin.
Komisioneri Hahn ka theksuar lidhur me këtë se, “kemi parë progres të jashtëzakonshëm në axhendën tonë të përbashkët të ndërlidhjes që nga Samiti i Berlinit i vitit të kaluar dhe tani kemi identifikuar projekte investimesh konkrete përparësore në rajon, që mund të mbështeten nga Instrumenti i Para-Aderimit.”
Zëvendëspresidenti Šefčovič dhe ministrat e Ekonomisë do të debatojnë për perspektivat ekonomike të rajonit, energjinë dhe ndërlidhjen e transportit, si dhe për arsimin profesional.
Zëvendespresidenti Šefčovič është shprehur se, “Strategjia jonë e Bashkimit të Energjisë deklaron mjaft qartë se Bashkimi i Energjisë nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit. Ja pse nuk i kursejmë përpjekjet për ta lidhur më mirë Ballkanin Perëndimor me sistemet tona të energjisë. Ja pse jemi të vendosur të zhvillojmë strategji të përbashkëta për të përballuar sfidat e përbashkëta që ndeshim, që nga masat klimaterike deri te diversifikimi i furnizimit tonë me energji. Ky është mesazhi që dhashë kur isha së fundmi në Serbi dhe ky është gjithashtu mesazhi im në samit.”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: