Po, i tillë ishte, ”në frymë dhe në gërmë” Takimi i krerëve të 32 vendeve anëtare të NATOS, i zhvilluar më 9 – 11 Korrik në Uashington, aty ku dhe u themelua 75 vite më parë nga 12 vende perendimore; vetëm disa ditë mbas Këshillit të Europës, në vijim të krijimit të organizatave shumëpalëshe të tjera Euro-Atlantike, kur bota dhe popujt ende lëngonin nga tmerret dhe plagët e Luftës së II Botërore.
Krijimi i Aleancës më të madhe të Atlantikut Verior me SHBA-të në krye ishte ngjarje e madhe, e cila ngjalli shpresa të mëdha te popujt përparimtarë dhe demokratikë në të dy anët e oqeanit për paqe, demokraci dhe siguri nga kërcënimet e regjimeve autokrate lindore me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin Ushtarak të Varshavës. NATO lindi jo vetëm si pakt ushtarak, por mbi të gjitha si aleancë politike, mbështetur në parimet dhe vlerat më të mira demokratike Euro-Atlantike.
Samitet ose takimet e krerëve më të lartë të vendeve anëtare të NATO-s janë pritur përherë me shumë vëmendje dhe interes; ca më tepër ky i fundit, jo vetëm se ishte jubilar, por për vetë kushtet e tanishme të ndërlikuara politike, ekonomike dhe ushtarake. Ato pasqyrohen qartë dhe vetë « brenda radhëve » të tij, ku nuk mungojnë as droja, dyshimet dhe skepticizmi.
Sipas ekspertëve të mirënjohur, asnjëherë në historinë e saj 75-vjeçare, NATO nuk ka qenë e rrethuar, e kërcënuar dhe e përfshirë si tani, jo nga një apo dy si disa dekada më parë, por me shumë vatra të nxehta, kriza dhe konflikte me emra të frikshëm. Pavarësisht nga fjalët e bukura dhe eufemizmat diplomatikë, sipas shumë ekspertëve të mirënjohur, këto zhvillime brengosëse nuk e kanë gjetur NATON me atë kohezion politik dhe ushtarak të disa dekadave më parë. Le ta themi troç se pavarësisht se sot është gati trefishuar në përbërjen e saj, NATO është larg shkëlqimit të saj të Luftës së Ftohtë, kur brenda radhëve të saj kishte unitet të plotë mendimi dhe veprimi, begati ekonomike në të gjitha vendet anëtare dhe kur përballë kishte vetëm një superfuqi armiqësore, ish Bashkimin Sovjetik, ku gjithsesi gjithkush kishte “sinoret” e veta gjeopolitike. Kina, Korea e Veriut, Irani atëhere ishin në plan të dytë e të tretë.
Veçanërisht këto 15 vitet e fundit, disa vende anëtare me emër të NATO-s janë tronditur nga kriza dhe konflikte të brendshme politike dhe social-ekonomike. Disa vite më parë ato prekën dhe gjunjëzuan vende të fuqishme si Italia, Spanja, Portugali, Greqia apo dhe Turqia; valët e papëmbajtura të migrimit të paligjshëm që shpërthyen në vitin 2015 vazhdojnë të jenë sfidë dhe kërcënim të madh për BE-në dhe NATO-no; terrorizmi dhe përshkallëzimi i skajshëm i ekstremizmit, sidomos atij të djathtë ka marrë përmasa të mëdha; partitë e ekstremit të djathtë janë të pranishme me shifra të shtuara ndjeshëm jo vetëm në parlamentet vendore dhe qendrore, por ato kanë ardhur në pushtet në vende kryesore të NATO-s, Itali, Finlandë, Suedi, Sllovaki dhe në Holandë, vendin që për 12 vite rresht e ka qeverisur sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s. Ai përfaqëson rrezik të madh dhe për vendet të tilla si Franca, Gjermania, Austria, etj.
Zgjedhjet europiane të 6 – 9 Qershorit dhe ato në Francë më 7 Korrik ishin dëshmia më tronditëse, por jo e vetme e ca më pak e fundit e kësaj tendence të rrezikshme, me ndikim dhe në veprimtarinë e NATO-s. Këto efekte të trishta u ndjenë dhe gjatë Samitit jubilar.
Kështu, Presidenti francez Marcon, vend i madh i NATOS dhe BE-së shkoi në Uashington vetëm një ditë pas goditjes së rëndë që mori nga “cunami “ i dytë në shtëpinë e vet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku si i thonë fjalës “ shkoi për lesh por u kthye i qethur”! Tani atje janë “shtruar këmbëkryq” si ekstremi i djathtë dhe ai i majtë”. Jo më mirë paraqitet gjendja e Kancelarit gjerman Scholz, i cilin 14 muaj përpara zgjedhjeve të reja parlamentare ka nivelin më të ulët historik të pëlqyeshmërisë, vetëm me 15 për qind; SPD-ja e tij u rendit e treta në zgjedhjet europiane të qershorit, pas AfD-së dhe kjo listë vazhdon. Ndërsa fituesi i zgjedhjeve britanike të 4 Korrikut Keir Starmer e kishte samitin e tij të parë.
Dhe më e paqartë dhe e pasigurt është gjendja në SHBA, vendi themelues dhe më i fuqishëm i Aleancës Perendimore, bujtësi i këtij Samiti jubilar. As 4 muaj përpara zgjedhjeve përcaktuese, ku nuk përjashtohen gjasat për një rikthim të ish Presidentit Trump, çka do të përmbyste ndoshta gjithë strategjitë e deritanishme, madje dhe vetë Aleancën, duke filluar nga fati i luftës në Ukrainë!
Ndërsa mikpritësi, Presidenti Biden është me plot dyshime për gjendjen shëndetësore, duke u përballur dhe gjatë ditëve të samitit me thirje nga miq, senatorë, kongresmenë dhe donatorë të rëndësishëm për tërheqje nga gara; këto ditë ai duhet të zgjidhë dilemën politike shekspiriane “ të qëndroj apo të shkoj?”
Akoma më e nderë është gjendja jashtë NATO-s, me konflikte të pashembullta kudo. Padyshim më i madhi dhe më i vështiri është agresioni rus kundër Ukrainës, duke e vendosur NATO-në përballë sfidës më herkuliane të ekzistencës së saj, pa harruar tensionet me Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe radikalët në Ballkan.
Ndonëse ndihma dhe mbështetja për Ukrainën dhe lufta deri në fitore kundër agresorit rus është diskutuar në shumë forume të tjera madhore dhe në samitin e mëparshëm vitin e kaluar në Vilnius, në Uashington ajo zuri vendin qëndror, për shkak të problematikave të mëdha dhe në këto 29 muaj mbas agresionit rus.
Për këtë qëllim, NATO vitin e kaluar miratoi strategjinë përkatëse me 4400 faqe, çështja është te zbatimi i saj në praktikë, mbasi për shkak të mungesave dhe vonesave në vitet e fundit, NATO nuk e ka ende më fuqinë e duhur mponuese.
Në këto kushte, në Uashington Aleanca reagoi drejt dhe me shumë alternativa në favor të fitores së Ukrainës, të cilat janë pasqyruar në Deklaratën përfundimtare të bërë publike. Veç paketave të ndihmave të mëparshme perendimore, ndër më kryesoret janë miratimi i paketës prej 40 Miliard Euro për vitin 2025, krijimi i koalicionit ajror perendimor, duke filluar me dërgimin e shpejtë në Ukrainë nga pesë vende të NATO-s të 125 avioneve ushtarakë F – 16, dërgimin e 5 sistemeve të mbrojtjes kundërajrore ” Patriot”, krijimi i Qendrës Komando në Wiesbaden për dërgimin e armatimit dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas me 700 trupa, etj.
Arritje tjetër madhore e Samitit ishte sinjali i qartë mbi ” rrugën e pakthyeshme e të pandalshme të anëtarësimit“ të Ukrainës në NATO kur të jenë krijuar dhe të jenë plotësuar kushtet e duhura”. Një formë elegante të shprehuri nënkupton se ky anëtarësim do të bëhet sapo të mbarojë lufta me fitoren e Ukrainës. Ky deklarim dhe forcimi i bashkëpunimit me Ukrainën do të ndihmojë këtë anëtarësim, duke kompensuar mungesën e ftesës formale dhe në këtë samit; veprim i kuptueshëm për të mos i “hedhur benzinë zjarrit” me Rusinë; dhe nga ana tjetër për t’ia bërë të qartë Moskës se Ukraina është dhe do jetë pjesë përbërëse e Perëndimit.
Me të drejtë u theksua dhe në këtë Samit se premtimet dhe projektet për paqe dhe armëpushim janë utopike dhe “çojnë ujë vetëm në mullirin rus”. Çdo paqe dhe armëpushim në kushtet e tanishme do të ishte kapitullim dhe pushtim për Ukrainën dhe rritje e oreksit agresiv rus ndaj vendeve të tjera, përfshirë dhe NATO-n. Vetëm lufta pa kompromis dhe fitorja përfundimtare në fushën e luftimeve mund ta detyrojnë Putinin të ulet pa kushte në tryezën e paqes.
Duke kaluar në një rrafsh më të gjerë, sot flitet shumë për realizimin e autonomisë mbrojtëse të Europës; mirëpo dihet se këtë komponent jetik, madje qysh përpara krijimit të BE-së e mori përsipër NATO, e udhëhequr nga SHBA-të. Kjo e fundit shpenzon për NATO-në 2 herë më shumë se të 31 vendet e tjera të marra së bashku!
Shqetësimi tjetër tani është se pavarësisht nga strategjitë dhe doktrinat e miratuara, vendet anëtare të NATO-s janë të vonuara në përgatitjet e tyre për një luftë të mundshme e cila tanimë nuk përjashtohet, trupat dhe përgatitjen e tyre, prodhimin e municioneve dhe armatimit, pajisjeve ushtarake, etj. Kjo si pasojë e gabimeve fatale politike perendimore, sidomos të Gjermanisë, duke menduar me naivitet se Rusia nuk do të sulmonte, madje ajo do të bëhej paqësore, partnere ekonomike dhe tregtare, ndërsa Perëndimi do të vilte “ dividentin e paqes”.
Në këto kushte të rënduara gjeopolitike, Samiti i Uashingtonit hodhi hapa përcaktues drejt një kthese historike për të kryer transformimin më të madh ushtarak për sigurinë kolektive të NATO-s. Një ndër masat me ndikim më të madh është vendimi historik për stacionimin në Gjermani të sistemit modern të raketave hipersonike me rreze veprimi deri në 2500 km; po ashtu, krijimi i Qendrës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, shtimi i pranisë me trupa dhe armatime në kufirin lindor të Europës dhe masa të tjera me karakter taktik dhe strategjik.
Paqja dhe siguria ndërkombëtare po përballen me rreziqe shumë të mëdha në Zonën e Indo – Paqësorit dhe Ngushticën e Tajvanit me Kinën. Pikërisht në ditët e Samitit, Kina kreu një numër rekord fluturimesh me 10 korrik me 66 avionë ushtarakë pranë dhe mbi Tajvanin. Nën kërcënime serioze nga Korea e Veriut janë dhe Korea e Jugut me Japoninë. Ja pse NATO vitet e fundit e ka shtrirë veprimtarinë e saj dhe në atë zonë strategjike; këto vende kanë kryer kohët e fundit stërvitje të mëdha të përbashkëta ushtarake me SHBA-të, ndërsa liderët e tyre kanë marrë pjesë në takimet dhe forumet e tjera të larta të NATO-s.
Edhe më shpërthyese është gjendja në Lindjen e Mesme, veçanërisht mbas atentatit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 në Gaza. Përshkallëzimi i konfliktit atje, rreziku që paraqet Irani, veç kërcënimit për shtrirjen e tij në gjithë atë hapësirë delikate gjeopolitike, ndikon në shpërqëndrimin e vëmendjes dhe kapaciteteve ushtarake të
NATO-s nga vatrat e tjera të nxehta, përfshirë dhe rajonin tonë.
Me të drejtë, Samiti i kushtoi rëndësinë e duhur në punimet dhe në Deklaratën përfundimtare gjendjes së rënduar në Ballkanin Perendimor; edhe pse tri vende janë anëtare të NATO-se Ballkan dhe aspirante për në BE, nuk ishte menduar se do të ishte e tillë qysh nga viti 1999, me një dialog që zvarritet ndër vite midis Prishtinës dhe Beogradit; ky i fundit vazhdon të ushqehet sa në grazhdin perendimor aq dhe në atë lindor dhe çuditërisht konsiderohet “ faktor stabiliteti” në rajon, kur në fakt rrënja e të keqes është në Beograd!
Për pasojë, NATO dhe tani 25 vite mbas ndërhyrjes ushtarake është e shtrënguar të mbajë kontigjente pë përforcuara në Kosovë, e angazhuar të mbrojë fort paqen dhe stabilitetin rajonal. Krahas të tjerash, marrëveshjet e nënshkruara gjatë Samitit ndërmjet vendit tonë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Italisë do të ndihmojnë ndjeshëm për një lëvizshmëri më të shpejtë operative të trupave të NATO-s drejt rajonit tonë në rast rreziku nga forca dhe vende armiqësore.
Në përfundim, nisur nga këto akte dhe fakte pranohet gjerësisht se Samiti jubilar ishte sa kujtesë dhe kthesë historike, aq dhe kushtrim i fuqishëm për veprim të shpejtë e të gjithanshëm nga secili vend anëtar i NATO-s dhe të gjithë së bashku, për të mbrojtur kudo paqen, sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe demokracinë.
Pavarësisht nga dobësitë, mungesat, pengesat dhe vonesat e deritanishme, NATO dhe këto vitet e fundit ka treguar se mbetet aleanca më e fuqishme demokratike, sfidues dhe fitues i madh mbi çdo rrezik, kërcënim dhe armik. Nder dhe garanci absolute për Shqipërinë që prej 15 vitesh bën pjesë me ndihmesën e vet modeste por të rëndësishme në këtë aleancë perendimore triumfale.
(BalkanWeb)