“Asnjë marrëveshje nuk është arritur” në Samitin e Hanoit në Vietnam, mes Presidentit Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong-un. Kështu deklaron Shtëpia e Bardhë duke shtuar se takimet për denuklearizimin do të vazhdojnë në të ardhmen.

Në konferencë, Presidenti amerikan deklaroi se e kishte “refuzuar kërkesën e Kim për të hequr sanksionet”. Dita e dytë ishte hapur me një takim kokë më kokë mes dy liderëve që zgjati 45 minuta.

Në një shënim, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders i përshkroi takimet mes dy udhëheqësve si “shumë të mirë dhe konstruktiv”. Trump dhe Kim diskutuan për “mënyrat e ndryshme për të avancuar denuklearizimin dhe konceptet e bazuara në ekonomi”.

Trump: Nuk nxitohemi, kemi nevojë për marrëveshjen e duhur
Në prag të ditës së dytë të takimeve, presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte theksuar: “Nuk ka ngutje për denuklearizimin e Koresë së Veriut, por ka nxitim për të arritur marrëveshjen e duhur”.

“E vlerësoj shumë faktin që nuk ka më teste bërthamore dhe raketore. Përsëri ju them se nuk ngutem. Nuk duam testet, ne kemi zhvilluar diçka me të vërtetë speciale për to”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump kishte shtuar se kishte respekt për “Gjeneralin Kim dhe vendin e tij” dhe kishte kujtuar “diskutimet e mira që kishin bërë të mërkurën” dhe “marrëdhënien e fortë të zhvilluar”.

Kim nuk i përgjigjet pyetjes për të drejtat e njeriut
Para takimit të nivelit të lartë Kim shfaqte siguri: “Aktualisht mendoj se do të ketë rezultate”.
“Komandanti suprem” kishte pretenduar se donte të “impenjohej” për të arritur rezultatet e pritura edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Momenti i paprecedent i liderit të Phenianit për pyetjet e mediave të huaja u bllokua papritur përpara një pyetjeje për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut. Dhe presidenti amerikan, bazuar në imazhet e filmuara në fillim të një prej takimeve të zgjatura, i kishte ardhur në ndihmë: “Ne po diskutojmë gjithçka”.

Dita e dytë e samitit u organizua në oborrin me pishinë të hotelit Metropole në Hanoi. Kamerat kapën dy udhëheqësit dhe dy përkthyesit e pandashëm, së bashku me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe homologun e tij, “krahu i djathtë” i udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Yong-chol, një ish-gjeneral dhe ish-numri një i shërbimeve sekrete ushtarake. Kim, në ditët e fundit, kishte udhëtuar në Uashington për takimin e fundit të samitit, duke takuar gjithashtu Trump në Shtëpinë e Bardhë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: