Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë tjerë prej gati 200 shteteve të botës mblidhen të hënën në Azerbajxhan për t’i ndjekur punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Fokusi do të jetë se si të parandalohet ngrohja globale, por edhe pasojat e saj vdekjeprurëse.
Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe vërshimet, dhe që intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.
Shtetet në zhvillim dhe organizatat për ambientin presin nga shtetet e pasura që të mobilizohen për t’i ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit, 10 herë më shumë sesa zotimi aktual prej 100 miliardë dollarëve në vit.
Për të financuar këtë rritje, aktivistë për klimën janë duke propozuar rritjen e taksave për të pasurit, si dhe vendosjen e taksave shtesë për nxjerrje të qymyrit, naftës dhe gazit.
Dhjetëra mijëra zyrtarë, gazetarë, aktivistë dhe lobistë politikë pritet të marrin pjesë në konferencën e organizuar në Azerbajxhan, ish-republikë sovjetike, në të cilën liria e shprehjes është tejet e kufizuar.
Mukhtar Babayev sapo është zgjedhur president i COP29, është një formalitet, por do të thotë se ai tani është përgjegjës për të siguruar një marrëveshje në dy javët e ardhshme.
Një ish-ekzekutiv i naftës, ai kaloi 26 vjet në kompaninë shtetërore të naftës dhe gazit të Azerbajxhanit Socar. Tani ai është ministër i vendit për ekologjinë dhe burimet natyrore.
“Ne jemi në rrugën e shkatërrimit”, i thotë Babajev dhomës, duke renditur shembuj të ndikimeve klimatike tani në mbarë botën, duke thënë se “këto nuk janë probleme të së ardhmes”.
“Njerëzit po vdesin në errësirë, por ata kanë nevojë për më shumë se dhembshuri […] dhe dokumente,” thotë ai.
Ai parashtron temat e këtyre bisedimeve, marrjen e më shumë parave për vendet në zhvillim për të paguar për largimin nga karburantet fosile dhe përshtatjen me ndryshimin e klimës që tashmë është këtu.
Tema tjetër është ajo që quhet gjithmonë “rritja e ambicies” në këto bisedime, që në thelb do të thotë t’i detyrosh vendet të premtojnë se do të bëjnë edhe më shumë për të reduktuar emetimet e tyre.
Vendet duhet të dorëzojnë së shpejti planet e tyre të fundit të veprimit për klimën dhe disa vende në zhvillim do të duan të shohin premtime për më shumë para për t’i ndihmuar ata të përmbushin qëllimet e tyre.