Pothuajse të gjitha të ardhurat e Venezuelës rrjedhin nga eksporti i naftës dhe Shtetet e Bashkuara janë një ndër importuesit më të mëdhenj të naftës venezueljane raporton VOA. Por sanksionet ndaj kompanisë shtetërore të naftës, PDVSA, nënkuptojnë se qeveria e Presidentit Nicolás Maduro nuk do të përfitojë nga kapitali që sjell eksporti.

Qeveria amerikane ka liçencuar kompaninë e rafinimit, CITGO, e cila është degë e kompanisë PDVSA, të vazhdojë operacionet në Venezuelë. Por të ardhurat e gjeneruara nga ky aktivitet nuk do t’i kalojnë qeverisë së Presidentit Maduro, por në llogaritë e udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, të cilin Uashingtoni dhe 50 vende të tjera e njohin si presidentin e përkohëshëm të vendit.

Zyrtarë të administratës Trump thonë se sanksionet mund të shkakojnë humbje në masën 11 miliardë dollarë për qeverinë e zotit Maduro. Masat ndëshkimore do të ndikojnë edhe tek prodhimi, pasi Venezuela nuk do të jetë në gjendje të blejë naftë të lehtë amerikane që duhet përzier me naftën e rëndë që nxjerr. Pa naftën e lehtë, nafta e rëndë nuk lëviz dot nëpër tubacione për transportim.

Me këto masa, Shtetet e Bashkuara shpresojnë t’i bëjnë presion zotit Nicolas Maduro të japë dorëheqjen.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb