SARANDË- Pesë ish-zyrtarë të Sarandës tashmë janë në pritje të gjykimit pasi akuzohen për shpërdorim detyre për dhënien e lejeve të legalizimit për një numër të madh ndërtimesh.

Kështu sipas burimeve zyrtare, organi i akuzës në Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për disa ish-drejtues të ALUIZNI-t në këtë qytet, si edhe për ish-drejtorin rajonal të ALUIZNI-t Vlorë. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi për një numër të lartë ndërtimesh dhe shtesa ndërtimesh, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin bazuar në një kallëzim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa janë evidentuar të paktën 24 raste të lejes së legalizimit për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike. Pra, në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe, rrjedhimisht, as të legalizohen.

Vesel Koçiu, ish-drejtor i degës së ALUIZNI-t, Sarandë; Laert Cane, Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit dhe Feti Deromenaj, Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, janë hetuar nën masat e sigurimit, “Arrest me burg”.
Ndërsa Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUZNI-t, Vlorë dhe Manjola Nikollo, Përgjegjëse e Sektorit të Hartografisë janë hetuar nën masën “Arrest shtëpie”.

Roland Tafilaj, për të cilin gjykata e Sarandës ka pranuar fillimisht kërkesën e Prokurorisë për “arrest me burg”, dhe më pas është ndryshuar në “arrest në shtëpi”, është dënuar pak muaj më parë nga Gjykata e Vlorës për të njëjtën akuzë (shpërdorim detyre) me 1 vit e gjysmë burg. Kjo çështje është aktualisht në Apel.

Po ashtu, pak ditë më parë, Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim një tjetër dosje në ngarkim të Tafilaj. Ndërkohë, sipas organit të akuzës, Vesel Koçiu, para se të merrte detyrën e drejtorit të degës së ALUIZNI-t, Sarandë, ka qenë kryetar i komunës së Ksamilit, zonë në të cilën janë evidentuar këto raste shkeljeje ligji në dhënien e lejes së legalizimit, të cilat janë të parat në një listë të gjatë objektesh të dyshuara si të legalizuara në kundërshtim me ligjin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb