TIRANE- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, priti sot në një takim pune, Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Christian Schmidt, i cili u shpreh i gatshëm “të mbështesë projektet e Shqipërisë, për të thithur fonde nga Bashkimi Evropian”.

Lehtësimi i procedurave të eksportit të perimeve nga Shqipëria drejt Gjermanisë, ishte një ndër kërkesat e ministrit Panariti për homologun Schmidt, ndërsa më kryesorja ishte “ndihma që mund të japë Gjermania me disa analiza laboratorike, nga laboratorë reference të certifikuar, kur ka dyshime për tejkalimeve të normave në ngarkesë herbicidesh, insekticidesh, metale të rënda etj, për sa kohë që, laboratorët tona të referencës janë në proces akreditimi.

Duke i bërë homologut gjerman një rezyme të produkteve shqiptare që eksportohen në Gjermani, Panariti tha se “eksportet me Gjermaninë në krahasim me 9-mujorin e vitit 2015 janë rritur në masën 2%”. Sipas tij, “zërat që kanë pësuar rritje janë bimet medicinale me nje rritje prej 89 %, si dhe eksporti i verës ka pësuar rritje me 49 %. Gjermania është blerësi kryesor i Bimeve Aromatike Medicinale Shqiptare”.

Ministri Federal Gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt, duke falenderuar Panaritin për shpjegimin e hollësishëm të nevojave dhe përshkrimin e situatës së bujqësisë shqiptare deklaroi se, “për ato çfarë diskutojmë ne sot, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse t’i vëmë në zbatim dhe për këtë, do të duhen edhe një apo dy takime të tjera dhe sa më mirë ta fillojmë, aq më të lehtë e kemi të shkojmë përpara”. “Në lidhje me standardet e kontrolleve që do të vendosim, kjo do të jetë mënyra për të hapur dyert e tregjeve për në BE të produkteve shqiptare. Një tjetër mënyrë e mirë bashkëpunimi është dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe të bisedojmë se ç’mund të bëjmë në nivele ekspertësh. Ndërsa një çështje tjetër është ajo e administratës, për të cilën mendoj se, duhet filluar trajnimi i njerëzve të terrenit, siç janë veterinerët etj”, deklaroi ministri gjerman, i cili më pas foli edhe në lidhje qendrat e referencës.

Ministri Federal Gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore, ndërsa nesër do të nënshkruajë një marrëveshje dhe me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: