NGA RUDINA HOXHA*

Në prag të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, që mbahet më 27 gusht, ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Thomas Schnoll, vlerëson se kontributi i Shqipërisë ndaj kësaj konferencë ka qenë thelbësor. “Shqipëria ka punuar së bashku me Serbinë për hartimin e projekteve. Kjo vlen sidomos për programin e shkëmbimit të të rinjve të rajonit, që do të nënshkruhet gjatë samitit në Vjenë”, thotë Schnoll në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”.
Ai gjithashtu shpreson që kjo konferencë të dalë me rezultate konkrete, të zbatueshme sa më shpejt nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Schnoll, drejtori i Përgjithshëm për Integrimin Europian në Ministrinë e Jashtme Austriake do të vizitojë Shqipërinë në shtator, ku temat kryesore që do të diskutohen do të jenë agjenda pas Samitit të Vjenës dhe integrimi europian. Gjithashtu, në tetor, drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Austriake për Zhvillim do të vijë në Shqipëri dhe në
kuadër të vizitës së tij do të prezantojë strategjinë 2015-2020 për Shqipërinë. Investimet tona do të fokusohen në 3 fusha: menaxhimin e integruar të ujit, arsimi dhe formimi profesional dhe qeverisja e mirë.

Z. ambasador, ju ishit së fundmi një nga të ftuarit më të spikatur në aktivitetin me të rinjtë e LSI-së në Jalë. Çfarë ju bëri më tepër përshtypje në shkëmbimet e mendimeve që ju patët me të rinjtë shqiptarë?
Për mua ishte interesante, sepse unë kam vetë eksperienca me kampet. Dhe këto janë raste kur mund të lidhësh temat politike me kënaqësinë që të falin aktivitete të tilla. Gjatë këtij kampingu, pata mundësinë që të flisja rreth temave që lidhem me integrimin europian. Më la përshtypje fakti që pjesëmarrësit, të rinjtë kryesisht të moshës 16-25 vjeçare, ishin mjaft të informuar dhe treguan se nuk duan që të jenë të tjerët që të vendosin për të ardhmen e tyre, por të jenë ata vetë.

Shqipëria nis këtë fillim vjeshte një nga reformat më të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian, por jo vetëm reformën në drejtësi. Si i konsideroni përpjekjet e deritanishme të qeverisë shqiptare drejt BE-së?
Shiko, nëse flasim për procesin e anëtarësimit, mua më krijohet përshtypja ndonjëherë që në të gjitha vendet që gëzojnë statusin e vendit kandidat, pritshmëria është më e madhe se ç’mund të ndodhë në realitet. Duhet të kemi parasysh që të mos kemi një zhgënjim të madh të popullsisë, nëse nuk arrihen objektivat që janë vendosur. Politikanëve unë gjithmonë u jap mesazhin që cilësia është më e rëndësishme se shpejtësia. Shqipërinë e presin reforma të mëdha. Ndër të tjera, edhe ajo që përmendët ju, reforma në drejtësi. Por natyrisht, edhe reforma në administratën publike. Unë jam i bindur dhe kam besim se Shqipëria, edhe në kuptimin e një dialogu konstruktiv mbi palët do të zhvillohet në një drejtim pozitiv për t’u futur në këtë mënyrë në etapat e tjera të procesit të integrimit. Por rruga e duhur nuk do të ishte të fokusohemi në data dhe afate se kur do t’i përmbushim këto detyrime kundrejt këtij anëtarësimi.

Meqenëse se po flasim për integrimin europian, këto ditë ka hapur siparin një nga forumet më të vjetra të integrimit europian në Europë, Forumi i Integrimit në Alpbach, Austri. Si e shikoni interesin në rritje të të rinjve shqiptarë për të marrë pjesë në këtë forum?
Përgjithësisht jam i mendimit se të rinjtë shqiptarë, por edhe ata të Ballkanit Perëndimor duhet të udhëtojnë sa më shumë, me qëllim që të njohin edhe vende të tjera, për t’u informuar për strukturat dhe raportet demokratike në këto vende. Për këtë, Forumi i Alpbach është mjaft i përshtatshëm, sepse atje trajtohen tema të ndryshme të rëndësishme, përfshirë ato politike, të cilat janë thelbësore për rajonin. Por jo vetëm shkëmbimi me vendet e BE-së është i rëndësishëm. Unë konstatoj gjithnjë e më shumë se të rinjtë e rajonit nuk i njohin aq sa duhet vendet fqinje rreth e përqark, për të mos folur që t’i kenë vizituar këto vende fqinje. Ne duhet të nxisim dhe të mbështesim këtë shkëmbim në rajon, në mënyrë që të heqim paragjykimet që mund të kemi për njëri-tjetrin dhe të përforcojmë besimin midis njëri-tjetrit. Unë jam i mendimit se besimi është mjaft i rëndësishëm, sepse pa besim nuk ka pajtim.

Sipas jush, çfarë po ndodh me Ballkanin, është kjo një etapë e re e zhvillimit apo tranzicionit të tij?
Mund të them se rajoni po ecën në rrugën e duhur. Natyrisht që në këtë rrugë, një rëndësi të madhe ka edhe procesi i Berlinit. Ne për herë të parë kemi arritur që drejtuesit e rajonit t’i kemi të gjithë në Shqipëri. Ky ka qenë një sinjal shumë i rëndësishëm dhe unë bie dakord me atë që tha ish-ministri i Jashtëm gjerman, Fischer: “Kush e kishte imagjinuar para 20 vitesh se do të kishim bërë një foto në grup si sot”. Por, natyrisht na presin sfida të tjera. Është e rëndësishme të theksohet se zhvillimi ekonomik i rajonit nuk po shkon ashtu siç e kishim parashikuar. Prandaj, mendoj se do të ishte e rëndësishme që të nxisim dhe të mbështesim më tej bashkëpunimin ndërkufitar, sepse po tregohet gjithnjë e më tepër se shkëmbimi tregtar midis vendeve të rajonit është i ulët. Për këtë, dhe po kthehem tek sinjali politik, është i rëndësishëm ndërtimi i këtij besimi reciprok.

Jemi përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor të Vjenës, që do të mbahet këtë të enjte. Cili është kontributi i Shqipërisë në këtë Samit? 
Kontributi ka qenë thelbësor. Shqipëria ka punuar së bashku me Serbinë për hartimin e projekteve. Kjo vlen sidomos për programin e shkëmbimit të të rinjve të rajonit, që do të nënshkruhet gjatë Samitit në Vjenë. Por, Shqipëria natyrisht ka ndihmuar mjaft edhe në hartimin e projekteve të infrastrukturës. Për ta thënë shkurt, Shqipëria është një aktor i rëndësishëm rajonal. Dhe mendoj se ne nuk e kemi theksuar sa duhet këtë rol.

Sa i rëndësishëm është fakti që një samit i një rëndësie të tillë mbahet në Vjenë, në një nga qendrat e integrimit europian?

Për ne si Austri, procesi i Berlinit është i rëndësishëm, çka tregon që Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë në axhendën e Europës, edhe se puna në këtë rajon nuk ka mbaruar ende. Dhe duam që ky proces të mos zëvendësojë procesin e integrimit, por të jenë dy procese të veçanta që të fuqizojnë njëra-tjetrën në mënyrë reciproke. Për Austrinë, si organizatore e këtij samiti, është shumë e rëndësishme të kemi rezultate konkrete, sepse sinjali politik është dhënë në Berlin. Dhe tani është koha për rezultate konkrete dhe të prekshme për njerëzit. Ky është në interes të rajonit, por para së gjithash në interes të qytetareve dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Një nga fatkeqësitë e rajonit të Ballkanit, por jo vetëm, janë aktualisht emigrantët të cilët kanë marrë rrugët drejt vendeve të ndryshme europiane për një jetë më të mirë. Si e shikoni një fenomen të tillë?
Mbase është një shprehje e mungesës së perspektivës të vetë rajonit. Nëse nuk ke një vend pune, ose nuk ke një pritshmëri se do të kesh një vend pune sa më shpejt, atëherë rritet gatishmëria për të shkuar në një vend tjetër. Një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është nxitja e zhvillimit ekonomik, rritja e mirëqenies dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Kjo është një sipërmarrje e madhe. Natyrisht që shteti duhet të krijojë kuadrin e duhur ligjor për këtë. Por natyrisht, edhe qytetarët me potencialet e tyre përkatëse duhet të japin kontributin e tyre. Për mua nuk ka asnjë mëdyshje se shqiptarët janë kreativë, dinamikë dhe me një shpirt sipërmarrës. Por atyre duhet t’i jepet mundësia ta shfaqin atë.

Si po e trajton Austria problemin e numrit të madh të azilkërkuesve që vijnë nga vende të luftës si Siria, Afganistani e të tjera?
Kjo pyetje sundon të gjitha temat e politikës së jashtme dhe të brendshme të Austrisë për momentin. Kemi të bëjmë me një problem që ka nevojë për një aleancë, ose mbështetje të madhe në vend. Dhe unë ju them sinqerisht se kam përshtypjen se kjo temë është kaq dominuese, sa duket sikur kriza e Greqisë ka kaluar në vend të dytë tashmë. Austria synon që problemi i azilkërkuesve të trajtohet në nivelin e BE-së. Me siguri që nuk do të bëhet ndryshe. Besoj se do të përcaktohen kuotat e emigrantëve midis vendeve të BE-së që ato të shpërndahen në mënyrë të drejtë, sepse nuk mund të vazhdohet si deri më tani që vetëm disa vende të BE-së ta mbajnë peshën e azilkërkuesve.

Entuziazmi i ministrit të Jashtëm austriak ishte i dukshëm pas marrëveshjes së arritur midis Vjenës dhe Iranit së fundmi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një arritje historike. Kjo ka treguar që një konflikt mund të zgjidhet më mirë me dialog dhe me negociata serioze. Marrëveshja shpreson të jetë një mundësi tjetër për të bërë një dialog të hapur me Iranin që shkojnë përtej temave të lidhura me armët bërthamore. Kështu, këto negociata mund të kontribuojnë më tej në zgjidhjen e konflikteve ndërrajonale. Por, nga ana tjetër, duhet të bëhet e qartë se duhet të ketë një shkëmbim sa më të hapur me Iranin për sa i përket për shembull çështjes së të drejtave të njeriut, sepse këto të fundit nuk janë të negociueshme.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb